Intervistë me Z. Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, për Revistën Monitor
“Tirana Bank realizon rritje të qëndrueshme të aktivitetit.”
- Si do ta vlerësonit ecurinë e Tirana Bank gjatë vitit të kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme në bankën tuaj dhe më gjerë në aktivitetin e sistemit bankar shqiptar?
Viti 2023 ishte një tjetër vit i jashtëzakonshëm për institucionin tonë. Tirana Bank realizoi një performancë të shëndetshme në drejtim të rritjes organike të aktivitetit, duke konfirmuar praninë aktive në tregun lokal.
Edhe këtë vit norma e rritjes në indikatorët kryesorë komercial ishte më e lartë se mesatarja e sektorit bankar. Pavarësisht mjedisit sfidues ekonomik, Tirana Bank shënoi rezultate rekord në vitin 2023, duke arritur një rritje të fitimit neto me 144%, në vlerën 21 milion Euro (neto nga efekti i rivlerësimit të kapitalit). Kthimi mbi kapitalin (ROE) arriti mbi 20%. Këto rezultate janë tregues i forcës dhe qëndrueshmërisë të modelit tonë të biznesit, si dhe i angazhimit dhe ekspertizës së ekipit tonë të përkushtuar.
Totali i aseteve, shënoi një rritje prej 27% (rreth 275 milion Euro equiv.) krahasuar me vitin 2022, duke tejkaluar çdo rezultat të mëparshëm në historinë e Bankës sonë dhe duke arritur një total prej përafërsisht1.3 miliardë Euro, tregues i zgjerimit të vazhdueshëm të aktivitetit në vitet e fundit. Kjo rritje e jashtëzakonshme është një dëshmi e besimit të qëndrueshëm të klientëve të Bankës sonë.
Strategjia e zhvillimit ka vijuar të realizohet me sukses, ndaj portofoli i kredisë u rrit me 18% krahasuar me një vit më parë (afërsisht 90 milionë Euro), duke treguar aftësinë tonë për të kapitalizuar mundësitë e tregut dhe në të njëjtën kohë duke ruajtur një marzh interesi të shëndetshëm.Ndër sketorët kryesore të financuara gjatë vitit mund të përmendim tregtinë, shërbimet, infrastrukturën, turizmin dhe energjinë.
Banka jonë ka mbajtur vazhdimisht një portofol aktivesh me cilësi të lartë. Si rezultat i praktikave rigoroze të menaxhimit të riskut, kemi bërë të mundur një ulje të mëtejshme të kredive me probleme.
Gjatë vitit 2023 realizuam një rritje të ndjeshme të depozitave, që konfirmuan besimin e klientëve te Tirana Bank. Baza jonë e depozitave u rrit me 20% nga viti i mëparshëm, duke arritur një total prej përafërsisht 1 miliardë euro. Ky sukses mund t'i atribuohet gamës sonë gjithëpërfshirëse të produkteve të depozitave, normave konkurruese të interesit, mbështetur gjithashtu në një shërbim të personalizuar ndaj klientit, ofruar me shumë profesionalizëm nga stafi ynë.
Si rezultat i përmirësimit të proçeseve dhe ndërfutjen e teknologjisë në shërbimin e klientëve, kemi rritur ndjeshëm aftësitë tona digjitale.
Referuar strategjisë të konsoliduar për zhvillimin e aktivitetit, mbetem besimplote se Tirana Bank do të vazhdojë të jetë një nga institucionet më të rëndësishme dhe dinamike në sistemin tonë bankar.
- Pas pandemisë, po vërehet një rritje e ndjeshme e rolit të turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme në ekonomi. Si po ndikojnë këto zhvillime në sektorin bankar?
Rritja e shpejtë e turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme është padyshim një nga faktorët kryesorë të rritjes së ekonomisë Shqiptare dhe sigurisht që kanë ndikimin e tyre pozitiv në sektorin bankar.
Zgjerimi i industrisë së turizmit dhe sektorit të ndërtimit shpeshherë kërkon kapital të konsiderueshëm për investime. Ndërsa infrastruktura e turizmit, hoteleve, resorteve dhe objekte të tjera që janë duke u zhvilluar, cojnë në rritjen e kërkesës për financime nga bankat për të mbështetur këto projekte, në të njëjtën mënyrë edhe zhvillimi i sektorit të ndërtimit rrit kërkesën për kredi hipotekore nga individët dhe bizneset që janë të përfshirë në këtë fushë.
Edhe pse këto sektorë ofrojnë mundësi për kredidhënie, ato njëkohësisht kanë edhe risk për bankat. Industria e turizmit është e varur nga luhatjet sezonale, tensionet gjeopolitike, dhe ndryshimet në preferencat e konsumatorëve, ndërsa sektori i pasurive të paluajtshme mund të përjetojë paqëndrueshmëri si pasojë e ofertës së tepërt, ndryshimit të cmimeve të pronave apo ndryshimeve rregullatore që prekin ndërtimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve. Bankat duhet të vlerësojnë dhe menaxhojnë me kujdes këto rreziqe për të siguruar vijueshmërinë e aktiviteteve të tyre kredituese.
Pavarësisht sfidave makroekonomike, sistemi bankar mbetet i qëndrueshëm, duke forcuar pozitat e likuiditeti dhe nivelit të kapitalizimit.
- Cilat mendoni se do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar gjatë vitit 2024?
Mbetemi të vendosur në zhvillimin strategjik të Bankës, duke forcuar prezencën tonë në treg, me zhvillimet teknologjike që kemi ndërmarrë hap pas hapi për të përmbushur të gjitha nevojat e klientëve. Jemi angazhuar dhe synojmë që edhe për vitin 2024 të kemi në fokus shërbimin cilësor ndaj klientit dhe zgjerimin e vazhdueshëm të aktivitetit në tregun lokal dhe në rajon.
Me rritjen e prezencës tonë në shërbimet online, synojmë të rrisim kënaqësinë e përdoruesve duke mundësuar një shërbim të shpejtë dhe cilësor
Siguria kibernetike përbën një sfidë për sistemin bankar. Bankat duhet të vijojnë të investojnë në infrastrukturën teknologjike dhe kapacitetet njerëzore, për të rritur aftësitë mbrojtëse ndaj sulmeve kibernetike.