TiBank+ Business
I nderuar Klient,
Me kënaqësi ju prezantojmë platformën e re digjitale TiBank+ Business, e krijuar për të mbështetur nevojat tuaja në menaxhimin e financave të biznesit.
Risitë kryesore të platformës përfshijnë:
- Kontaktet e shtuara nga një përfaqësues i klientit do të jenë të dukshme për të gjithë përfaqësuesit e autorizuar që përdorin platformën.
- Mundësia për aprovim të dyfishtë të veprimeve debituese në llogari, sipas nevojave dhe politikave të biznesit tuaj.
- Kryerja e transfertave në monedhë të ndryshme nga monedha e llogarisë debituese.
- Pagesa e detyrimeve ndaj Furnizuesit të Shërbimit Universal (OSHEE-FTL) direkt nga platforma, pa komisione shtesë.
Në kuadër të këtyre përmirësimeve, dëshirojmë t’ju informojmë gjithashtu për disa ndryshime të rëndësishme në KONTRATËN PËR TË DREJTËN E HYRJES NË SISTEMIN TIBANK DHE KRYERJEN E TRANSAKSIONEVE NËPËRMJET TIJ, të cilat do të hyjnë në fuqi së bashku me funksionalitetet e reja të platformës.
Ndryshimet kontraktore janë:
1. Emërtimi i platformës
Platforma tashmë do të mbajë emërtimin TiBank+ Business. Termi TiBank ndryshohet në TiBank+Business.
2. Përditësimi i procesit të regjistrimit dhe aktivizimit të aksesit në platformë. Pika 2.2 e kontratës ndryshon dhe do të lexohet me përmbajtjen si me poshtë:
2.2 Me regjistrimin e Klientit ne sistemin TiBank+ Business, Klienti ose (nese Klienti eshte person juridik) çdo Perfaqesues i Klientit do te pajiset me kredencialet e nevojshme qe sherbejne per te verifikuar identitetin e Klientit dhe i jep atij te drejte hyrjeje ne sistemin TiBank+Business (ne vijim do te quhen "Kode").
Në adresën e e-mailit të regjistruar në sistemin e bankës, klienti do të marrë fillimisht një e-mail që përmban emrin e përdoruesit (username) dhe një link që e drejton në platformën TiBank+Business. Pas vendosjes së emrit të përdoruesit në platformën TiBank+ Business, klienti nis kerkesen per perditesim fjalekalimi dhe do të marrë një e-mail të dytë me një link verifikimi. Duke klikuar mbi këtë link, klienti do të marrë një kod njëpërdorimësh (OTP) në numrin e celularit të regjistruar në bankë, i cili duhet të vendoset në platformën TiBank+ Business. Pas verifikimit të suksesshëm të kodit, klientit do t’i shfaqet mundësia për të krijuar dhe vendosur fjalëkalimin e ri.
Kodet mund të përbëhen nga një ose më shumë elemente numeriko-alfabetike ose nga elemente dixhitale identifikimi (PIN, vërtetim dixhital etj.), në varësi të mënyrës dhe teknologjisë që Banka përdor për t’i dhënë Klientit të drejtën e hyrjes në sistemin e saj elektronik.
Sa herë që Klienti (i cili vepron nëpërmjet Përfaqësuesve të tij, nëse është person juridik) përdor sistemin TiBank+ Business dhe dëshiron të ketë të drejtë hyrjeje (akses) në informacione konfidenciale që lidhen me llogarinë e tij ose të kryejë transaksione, ai duhet të vërtetojë identitetin e tij duke përdorur Kodin personal ose, sipas rastit, nëse është lidhur nëpërmjet telefonit, duke e shtypur kodin në tastierën e telefonit gjatë lidhjes me sistemin TiBank+ Business, ose nëpërmjet çdo mënyre tjetër identifikimi që kërkohet nga sistemi në çdo rast.
Klienti deklaron se kupton dhe pranon që dërgimi i Kodit të tij në sistemin TiBank+ Business i vërteton Bankës identitetin e tij dhe përbën provë të përdorimit të shërbimit nga ana e Klientit, veçanërisht për dërgimin e urdhrit elektronik nga vetë Klienti dhe për marrjen e informacionit prej tij.
Palët kontraktuese bien dakord që forca provuese e këtyre urdhrave elektronikë është e njëjtë me atë të urdhrave të shkruar. Transmetimi i urdhrit elektronik te Banka dhe regjistrimi i tij në sistemin kompjuterik të Bankës përbëjnë provë të plotë të urdhrit.
3. Përditësimi i kërkesave të sigurisë. Pika 2.5 e kontratës ndryshon dhe do të lexohet me përmbajtjen si me poshtë:
2.5 Klienti dhe, nëse është person juridik, Përfaqësuesit e tij, duhet të ndryshojnë Kodin fillestar të dërguar nga Banka nëpërmjet e-mailit me një Kod tjetër, të përzgjedhur prej tyre. Ndryshimi i Kodit në intervale të rregullta kohore është një masë e rëndësishme dhe e nevojshme sigurie, të cilën Klienti ose, nëse është person juridik, Përfaqësuesit e tij duhet ta zbatojnë në mënyrë periodike.
7. KOHËZGJATJA DHE ZGJIDHJA E KONTRATËS
Pika 7.1 ndryshon dhe do të lexohet si më poshtë:
7.1 Kohëzgjatja e kësaj Kontrate është me afat të pacaktuar. Kontrata mbetet në fuqi deri në momentin e zgjidhjes së saj nga njëra prej palëve, duke respektuar afatin e njoftimit paraprak me shkrim drejtuar palës tjetër, pas përfundimit të të cilit Kontrata konsiderohet e zgjidhur, si më poshtë:
a) Klienti ka të drejtë të zgjidhë Kontratën duke njoftuar Bankën me shkrim të paktën 1 (një) muaj përpara datës së zgjidhjes së saj;
b) Banka ka të drejtë të zgjidhë Kontratën duke njoftuar Klientin me shkrim të paktën 2 (dy) muaj përpara datës në të cilën zgjidhja e Kontratës hyn në fuqi.
Kjo Kontratë, në tërësinë e saj, nuk zgjidhet si pasojë e shpërbërjes, likuidimit (edhe kur ky është i pjesshëm), vendosjes nën administrim të detyruar ose falimentimit të Klientit. Në këto raste, Kontrata do të vazhdojë të mbetet në fuqi deri në zgjidhjen e saj, tërësisht ose pjesërisht, nga pasardhësit ligjorë ose përfaqësuesit e autorizuar të Klientit, sipas legjislacionit në fuqi.
11. MBROJTJA E TË DHËNAVE ME KARAKTER PERSONAL
Pikat 11.1 dhe 11.2, shkronja d), ndryshojnë dhe do të lexohen si më poshtë:
11.1 Banka është e detyruar t’u nënshtrohet dispozitave të Ligjit nr. 124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, Ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe akteve nënligjore për sekretin bankar, të miratuara nga Banka e Shqipërisë në zbatim të këtij ligji, në fuqi në çdo kohë. Banka deklaron se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi (përfshirë, por pa u kufizuar në, njoftimet, marrjen e pëlqimeve dhe përmbushjen e detyrimeve të tjera ligjore), që kërkohen për përpunimin e ligjshëm të të dhënave me karakter personal.
11.2 d) Klienti deklaron se, në bazë të Ligjit nr. 124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, është informuar plotësisht dhe jep shprehimisht pëlqimin e tij për transferimin ndërkombëtar të të dhënave të tij personale nga Banka drejt shtetit të përcaktuar në urdhërtransfertën e tij, me qëllim përmbushjen e urdhrit për transferimin e fondeve, të dhënë ose të ekzekutuar prej tij nëpërmjet sistemit TiBank+ Business.
Klienti pranon dhe merr përsipër çdo rrezik dhe pasojë që mund të rrjedhë nga aplikimi i një niveli të pamjaftueshëm mbrojtjeje të të dhënave personale në shtetin përfitues dhe, në masën e lejuar nga legjislacioni në fuqi, çliron Bankën nga përgjegjësia për pasojat që mund të lindin si rezultat i këtij transferimi ndërkombëtar të të dhënave personale. Në çdo rast, Banka do të zbatojë detyrimet e saj ligjore në lidhje me transferimin ndërkombëtar të të dhënave personale, sipas legjislacionit në fuqi. Në fund, Klienti deklaron se ka marrë të gjithë informacionin e nevojshëm lidhur me përpunimin dhe transferimin e të dhënave të tij personale.
12. KUSHTE TË TJERA
Pika 12.5 ndryshon dhe do të lexohet si më poshtë:
12.5 Banka ka të drejtë të ndryshojë kushtet dhe afatet e kësaj Kontrate, përfshirë, por pa u kufizuar në, dispozitat kontraktore, komisionet, tarifat, detyrimet e Klientit, si dhe llojet e transaksioneve bankare që mund të kryhen nëpërmjet sistemit TiBank+ Business, pa qenë i nevojshëm nënshkrimi i një amendamenti me shkrim të kësaj Kontrate.
Për çdo ndryshim, Banka do të njoftojë Klientin me shkrim nëpërmjet mjeteve elektronike të komunikimit (e-mail, faks etj.), mesazheve telefonike, platformës TiBank+ Business, fletëpalosjeve informuese të vendosura pranë degëve të saj, faqes zyrtare të internetit ose në çdo mënyrë tjetër që Banka e konsideron të përshtatshme.
Njoftimi do të kryhet të paktën 2 (dy) muaj përpara datës së hyrjes në fuqi të ndryshimeve. Nëse nuk pajtohet me ndryshimet e propozuara, Klienti ka të drejtë, brenda këtij afati, të tërhiqet nga marrëdhënia kontraktore dhe të zgjidhë Kontratën në përputhje me nenin 7 më sipër, pasi të ketë shlyer të gjitha detyrimet dhe komisionet e parashikuara në këtë Kontratë.
Në rast se Klienti nuk e zgjidh Kontratën brenda afatit të sipërpërmendur, ai do të konsiderohet se i ka pranuar ndryshimet e njoftuara nga Banka.
TIRANA BANK
Drejtoria Qendrore: Bulevardi Zhan D’Ark, Njesia Administrative Nr. 2, Godina “MET Tirana Building”
Ndryshimet e kushteve kontraktore do të aplikohen 2 muaj (dy) pas këtij njoftimi, në përputhje me parashikimet e nenit 47 të ligjit nr. 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”.
Nëse nuk doni të pranoni ndryshimet, keni të drejtë që brenda afatit të sipërpërmendur, të tërhiqeni dhe të zgjidhni Kontratën pa penalitet, pasi të keni paguar të gjitha detyrimet, komisionet e parashikuara në këtë Kontratë në mënyrë proporcionale deri në zgjidhjen e kontratës. Në rast së nuk zgjidhni Kontratën, brenda këtij afati kohor, konsiderohet se keni pranuar ndryshimin.
Gjithashtu në përputhje me parashikimet e nenit 47 të ligjit nr. 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”, Ju mund të pranoni ose refuzoni këto ndryshime, me qëllim zbatimin dhe hyrjen e tyre në fuqi ose jo, edhe përpara afatit 2 muaj, të propozuar nga Banka në këtë njoftim.
Për informacion të detajuar mund të vizitoni një nga degët e Tirana Bank, faqen zyrtare të internetit të Tirana Bank: www.tiranabank.al ose të telefononi në numrat 0800 68 68 / 355 4 227 7700.
BANKA e TIRANËS Sh.A


