Produktet e Financimit të Kredisë
Dokumente për Arkëtim është një proces ku klienti (Eksportuesi), nëpërmjet bankës sonë, dërgon në bankën e Importuesit dokumente të cilat lidhen me një dërgesë të veçantë mallrash së bashku me udhëzimet përkatëse për pagesë. Dokumentet paraqiten për kryerjen e Pagesës ose kundrejt Pranimit (përcaktohet data e maturimit të pagesës).
Mënyrat e pagesës:
• D/P – Lëshimi i dokumenteve bëhet kundrejt pagesës direkte nga Importuesi;
• D/A – Lëshimi i dokumenteve bëhet
kundrejt pranimit të tij për të kryer pagesën në një datë të mëvonshme;
Në këto transaksione bankat ndërmjetësojnë vetëm përmbushjen e instruksioneve për pagesë, por nuk mbajnë përgjegjësi për kontrollin e dokumenteve të eksportuesit.
Lëshim të llojeve të ndryshme të Garancive Bankare direkte në favor të
përfituesve brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë:
Garanci për Pagesë – lëshohet për llogari të aplikantit për të garantuar pagesën e mallrave dhe shërbimeve në favor të përfituesit;
Garanci për pagesë paraprake (Parapagim) – lëshohet për llogari të aplikantit për të garantuar përdorimin e shumës së parapaguar në përputhje me kontratën;
Garanci për Ofertë – lëshohet për llogari të aplikantit për pjesëmarrje në tender;
Garanci për Kontratë – lëshohet për llogari të aplikantit për të garantuar përmbushjen e detyrimeve kontraktuale;
Garanci për Tarifat Doganore – lëshohet për llogari të aplikantit për të garantuar përmbushjen e detyrimeve doganore.
Letër Garancia, e njohur edhe si Garancia Bankare është një angazhim me shkrim i lëshuar nga Tirana Bank (Garantori), i lëshuar në emër të aplikantit dhe në favorin e palës përfituese, për të kryer pagesën deri në shumën e specifikuar në garanci, pas marrjes së një kërkese për pagesë, me shkrim nga përfituesi, në rastin e mospërmbushjes nga ana e aplikantit të detyrimit që është objekt i kësaj garancie. Garancitë Bankare janë subjekt
i Rregullores Standarde të Garancive Bankare (URDG), Botimi i ICC-së Nr. 758
Kreditë Dokumentare ose Letrat e Kredisë janë mjete pagese të lëshuara nga banka me kërkesë të klientit. Pagesa e një Letër Kredie kryhet kundrejt paraqitjes së listës së dokumenteve, që duhet të dorëzohen në përputhje me termat dhe kushtet e Letrës së Kredisë. Letrat e Kredisë janë mënyra më efikase dhe e sigurt për kryerjen e pagesës në transaksionet tregtare ndërkombëtare. Ato nuk kufizohen vetëm te kryerja e pagesës për blerjen e mallrave, por edhe për blerjen e shërbimeve dhe zbatimin e projekteve të posaçme.
Letrat e Kredisë janë subjekt i Rregullave Standarde dhe Praktikës për Kreditë Dokumentare (Botim i ICC nr. 600) Banka jonë iu ofron klientëve tanë Korporata dhe NVM:
• Lëshimin e Letër Kredisë së Importit
• Këshillim për Letër Kredinë e Eksportit
• Këshillim të klientëve për transaksionet e Letër Kredisë nga një staf i specializuar
Letër Kreditë e Importit lëshohen nga Tirana Bank në rastet kur klientët e saj blejnë (importojnë) mallra ose shërbime nga partnerët e tyre. Në këtë lloj transaksioni, Tirana Bank ndërmerr një angazhim të pakthyeshëm, për llogari të klientit të saj, për të paguar përfituesin, kundrejt paraqitjes nga ana e këtij të fundit të listës së dokumenteve plotësisht në përputhje me kushtet e vendosura në Letër Kredinë.
Letër Kredia e Eksportit Në rastet kur klientët tanë eksportojnë mallra ose shërbime, ne sugjerojmë që pagesa nga blerësit për llogari të tyre të kryhet përmes një Letër Kredie. Në këtë rast, Tirana Bank merr Letër Kredinë e lëshuar në favorin e klientit të saj me mesazh SWIFT ose me Letër nga banka e importuesit (banka lëshuese).