Shërbimi i Sigurisë 3D
Shërbimi i sigurisë 3D (3D Secure) është një proces i cili ofron më tepër siguri gjatë përdorimit të kartës tuaj për blerje në Internet, duke parandaluar në këtë mënyrë përdorimin e paautorizuar të saj.
Për të përfituar nga ky shërbim, ju duhet të keni të regjistruar në bankë numrin e saktë të telefonit celular.
Kur ju të përdorni kartën tuaj në faqet e internetit që janë të autorizuara të përdorin shërbimin 3D Secure, pasi të zgjidhni mënyrën e pagesës dhe të plotësoni të dhënat e sakta të kartës tuaj, do të shfaqet një dritare tjetër ku do ju kërkohet një fjalëkalim një-përdorimësh për të verifikuar blerjen tuaj.
Ndërkohë, në numrin tuaj të telefonit që keni regjistruar pranë Tirana Bank, do ju dërgohet automatikisht kodi i sigurisë 3D (fjalëkalimi një-perdorimësh), të cilin duhet ta vendosni në dritaren e kërkuar. Është shumë e rëndësishme, që numri juaj në sistemin e Bankës të jetë i saktë që transaksioni të kryhet me sukses.
Për të përfunduar me sukses blerjen në Internet ju lutem të ndiqni hapat e mëposhtëm:
- Në faqet e Internetit ku jeni duke kryer pagesën plotësoni të dhënat e kartës tuaj dhe zgjidhni “Paguaj”, në këtë moment do ju shfaqet një faqe tjetër.
- Në numrin e telefonit tuaj, të regjistruar në Bankë, do të mbërrijë kodi i ri i sigurisë 3D.
- Përpara se të konfirmoni veprimin, kontrolloni në SMS-në e mbërritur në numrin e telefonit tuaj detajet: shumën, numrin e kartës dhe emrin e tregtarit.
- Nëse detajet përputhen me veprimin që po kryeni, konfirmojeni transaksionin duke vendour saktë në hapsirën e kërkuar kodin e sigurisë 3D.
Për të kuptuar nëse tregtari ku po kryeni blerjen online e ofron shërbimin 3D Secured, ju duhet të kontrolloni në faqen e tij për logon “Verified by VISA” ose “VISA Secure”. Nëse faqja e ka këtë logo, tregtari e ofron shërbimin e sigurisë 3D.