Intervista e znj. Elvira Kapoli në Revistën Monitor
Klientët kanë shfaqur interes të lartë për obligacionet korporative
Intervistë në Revistën Monitor me Znj.Elvira Kapoli, Drejtore e Divizionit të Financës në Tirana Bank
Emetimi i obligacioneve me ofertë private ka rezultuar një praktikë e suksesshme për bankat tregtare dhe ka ngjallur interes të lartë tek investitorët. Znj.Elvira Kapoli, Drejtore e Divizionit të Financës në Tirana Bank, thotë për “Monitor” se interesi në rritje i investitorëve për këto instrumente është mbështetur sidomos tek besueshmëria e emetuesve dhe kthimet e kënaqshme që këto instrumenta ofrojnë. Sipas saj, zgjerimi i tregut të obligacionve korporative edhe tek kompanitë jofinanciare është i lidhur me zhvillimin e njohurive dhe infrastrukturës së tyre, por edhe me rritjen e bazës së investitorëve potencialë. Ndonëse në fazat e para tregu ka funksionuar me emetime me ofertë private, e ardhmja i përket emetimit të obligacioneve korporative me ofertë publike, në linjë me rritjen e kapaciteteve emetuese të korporatave dhe institucioneve financiare, si edhe me ngritjen e një infrasktukture efektive për emetimin e tyre.
Në vitet e fundit, disa prej bankave tregtare po aplikojnë emetimin e borxhit të varur nëpërmjet obligacioneve me ofertë private, për nevoja të zgjerimit të kapitalit rregullator. Çfarë avantazhesh shtrojnë këto instrumente për investitorët dhe sa i lartë ka qenë interesi i atyre subjekteve që ua keni ofruar për blerje?
Tirana Bank, sikurse edhe disa banka të tjera të nivelit të dytë në tregun tonë bankar kanë emetuar me sukses, në vitet e fundit, obligacione korporative afatgjata. Fondet e realizuara nga emetimi i obligacioneve kanë rritur kryesisht kapitalin shtesë të bankave dhe likuiditetin e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe miratimet nga autoritetet rregullatore.
Emetimi me sukses i obligacioneve bazohet tek reputacioni i emetuesit, infrastruktura dhe legjislacioni rregullator në fuqi, si edhe njohuritë dhe transparenca e stafit të marrëdhënieve me klientin, duke u dhënë investitorëve informacionet e nevojshme për të qenë në gjendje të marrin një vendim të mbështetur në informim.
Për investitorët, këto instrumenta paraqesin alternativa shumë të mira investimi, me një kthim relativisht të lartë në përputhje me maturitetin dhe riskun financiar. Obligacionet konsiderohen si një investim relativisht me më pak rrezik, sidomos kur krahasohen me aksionet, sepse interesi dhe shlyerja e obligacionit garantohet nga emetuesi. Produktet janë transparente dhe kontratat e obligacioneve kanë një strukturë të thjeshtë dhe të qartë.
Një tjetër avantazh i drejtpërdrejtë për investitorët është diversifikimi i investimeve të tyre. Me anë të investimit në këto obligacione, investitorët zgjerojnë gamën e instrumentave në portofolet e tyre, përtej depozitave dhe obligacioneve të emetuara nga Qeveria shqiptare.
Investimi në obligacione sjell pagesa të rregullta në para, zakonisht dy herë në vit, një avantazh që nuk ofrohet gjithmonë nga aksionet apo investime të tjera. Këto pagesa sigurojnë një nivel të qëndrueshëm të ardhurave. Gjithashtu, investitorët mund të shesin obligacionet e tyre në tregun dytësor, duke u dhënë atyre një mundësi për të krijuar likuiditet për zotërimet e tyre, një avantazh që nuk ofrohet nga depozitat e thjeshta.
Në tregun tonë bankar, emetimet janë pritur shumë mirë nga investitorët, të cilët tregojnë interes në rritje të vazhdueshme për to dhe janë finalizuar me kushte të favorshme, duke konfirmuar situatën e konsoliduar financiare të tregut bankar dhe besnikërinë e klientëve ndaj institucioneve financiare.
Obligacionet e emetuara nga Tirana Bank janë nënshkruar kryesisht nga klientë individë dhe klientë premium. Kërkesa ka qenë më e madhe krahasuar me ofertën fillestare të obligacioneve, që konfirmon nivelin e lartë të besimit të investitorëve tek Tirana Bank për të ndërmarrë investime afatgjata.
Tashmë, në Shqipëri dhe në shumicën e ekonomive botërore ka nisur një cikël i normalizimit monetar dhe rritje e normave të interesit. Çfarë ndikimi mund të ketë rritja e normave të interesit në përdorimin e obligacioneve korporative nga bankat tregtare në Shqipëri?
Nga investimi në një obligacion në tregun bankar vendas, investitori merr kryesisht të ardhura nga interesi me normë fikse, zakonisht çdo gjashtëmujor, të cilat mbeten të njëjta pavarësisht se si mund të ndryshojnë normat e interesit të tregut. Obligacionet konkurrojnë me njëra-tjetrën për të ardhurat nga interesi që ato ofrojnë. Kur normat e interesit rriten, obligacionet e reja vijnë me një normë më të lartë dhe sigurojnë më shumë të ardhura.
Në periudhen afatshkurtër, rritja e normave të interesit mund të ndikojë negativisht në vlerën e një portofoli obligacioni. Megjithatë, në periudhe afatgjatë, rritja e normave të interesit në fakt mund të rrisë kthimin e përgjithshëm të portofolit të obligacioneve. Kjo për shkak se paratë nga obligacionet e maturuara mund të riinvestohen në obligacione të reja me norma më të larta.
Për korporatat jofinanciare shqiptare, huamarrja nëpërmjet emetimit të titujve të borxhit ngelet praktikë pak e përhapur sporadike. Pse ndodh kjo edhe a shihni potenciale për zgjerim të spektrit të emetuesve dhe tregut të obligacioneve korporative edhe jashtë sektorit financiar?
Ndërkohë që huamarrja nëpërmjet emetimit të titujve të borxhit ngelet praktikë e njohur dhe konsoliduar në tregun bankar, korporatat jofinanciare në vendin tonë mund të themi se i njohin dhe përdorin më pak të tilla instrumente. Jo vetëm informimi, njohuritë dhe infrastruktura e korporatave jofinanciare janë faktorë që duhen vlerësuar dhe që kërkojnë zhvillim të mëtejshëm, por edhe edukimi dhe rritja e bazës së investitorëve potencialë, mund ta zgjerojë këtë aktivitet dhe të çojë në një shkallë më të lartë përdorimi të këtyre instrumentave. Një aspekt shumë i rëndësishëm mbetet edhe kuadri rregullativ, i cili është në ndryshim edhe permirësim të vazhdueshëm, për të stimuluar të tilla aktivitete investuese.
Nëpërmjet emetimeve të obligacioneve me ofertë private, Tirana Bank ka luajtur rolin e saj në këtë drejtim, duke edukuar dhe informuar klientet e saj investitorë, për t’i përgatitur më tej lidhur me investime të tjera të mundshme në të ardhmen.
Shihni një perspektivë të afërt që emetimi i obligacioneve korporative të bëhet me ofertë publike? Çfarë avantazhesh do të shtronte një alternativë e tillë për emetuesin dhe për investitorin?
Emetimi nëpërmjet ofertës publike nga njëra anë për emetuesin, lehtëson emetimin me sukses të një instrumenti financiar, pasi arrin dhe akseson një bazë të gjerë investitorësh, por nga ana tjetër procesi mund të jetë më i shtrenjtë dhe të kërkojë më tepër kohë. Për investitorin, avantazhet e këtij tregu janë të shumëfishta, pasi ky është një treg që ofron një thellësi më të madhe të transaksioneve, likuiditet me të madh dhe më e rëndësishmja, tregu me ofertë publike ul shumën minimale të investimit, duke bërë më eficient për investitorin diversifikimin e portofolit.
Historia botërore ka treguar që, ndonëse në fazat e para tregu ka funksionuar me emetime me ofertë private, rritja e kerkeses dhe aksesimi me i lehte i tregut për investitoret ka ngritur dhe thelluar tregjet me ofertë publike.
Padyshim që edhe në vendin tonë e ardhmja i përket emetimit të obligacioneve korporative me ofertë publike, në linjë me rritjen e kapaciteteve emetuese të korporatave dhe institucioneve financiare, si edhe me ngritjen e një infrasktukture efektive për emetimin e tyre.
Tirana Bank i konsideron tejet të rëndësishëm zhvillimet e kësaj natyre, duke konsoliduar rolin e saj aktiv në këtë treg. Banka vijon të rritet në mënyrë organike dhe të qëndrueshme, referuar bazës së klientelës dhe të depozitave, me përqasje të kujdesshme referuar cilësisë së portofolit të kreditimit, por me orientim të qartë për të vijuar mbështetjen ndaj klientëve të Bankës. Strategjia e zhvillimit ka vijuar të realizohet me sukses, duke raportuar performancë shumë pozitive në indikatorët kryesorë komercial (depozita dhe kredi, në segmentin e klienteve Individë dhe Biznes), me normë rritje më të lartë sesa mesatarja e sektorit bankar lokal. Vizioni ynë është që të rrisim mbështetjen financiare për klientët tanë dhe për ekonominë lokale, si dhe të implementojmë strategjinë tonë të rritjes së qëndrueshme të aktivitetit.