Pak ditë më parë, Qendra CEDI organizoi Mbrëmjen Gala “Bashkë kundër dhunës”, një nismë që mblodhi mbështetës dhe kontribuues për të ndihmuar vajzat dhe gratë që përballen me dhunën.

Të ardhurat nga donacionet dhe shitja e biletave kishin si qëllim mbështetjen e tre strehëzave të rëndësishme: “Gruaja tek Gruaja” në Shkodër, “Forumi i Gruas” në Elbasan dhe “Argitra Vision”.

Tirana Bank, e ndjeshme ndaj kauzave që prekin komunitetin, ishte ndër sponsorët kryesorë të kësaj nisme, duke dhënë një kontribut domethënës në përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Kjo mbrëmje u shndërrua në një moment frymëzues, ku aktorët më të rëndësishëm në luftën kundër dhunës me bazë gjinore u bashkuan për të dërguar një mesazh të fuqishëm solidariteti dhe ndryshimi.

 

 

 

Tirana Bank, në bashkëpunim me Mane Foundation dhe Save the Children Albania, ka ndërmarrë një tjetër hap të rëndësishëm në mbështetje të edukimit dhe mbrojtjes së mjedisit. Projekti “Shkollat Ekologjike”, i cili ka nisur në shkollën “Rilindja” në Vlorë, është një projekt 12-mujor që synon të frymëzojë dhe ndërgjegjësojë brezin e ri për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme dhe ekologjike.

Gjatë prezantimit të projektit, fëmijët e Klubit Ekologjik, mësuesit, drejtuesit e shkollës dhe përfaqësuesit e institucioneve partnere u njohën me qëllimet dhe aktivitetet kryesore të kësaj nisme. Në takim mori pjesë edhe drejtoresha e Tirana Bank për degën e Vlorës, znj. Klodjana Aliraj, e cila theksoi rëndësinë e investimit në edukim për të fuqizuar komunitetet dhe për të nxitur ndërgjegjësimin mbi çështjet mjedisore, si një nga shtyllat ku mbështetet Përgjegjëia Sociale e Korporatës.  Anila Meço, drejtoreshë e Save the Children në Shqipëri, shtoi se ky projekt angazhon fëmijët në veprime konkrete për mbrojtjen e natyrës, dhe gjithashtu shërben si një platformë për përfshirjen e të gjithë komunitetit.

Fëmijët e Klubit Ekologjik patën mundësinë të mësojnë dhe praktikojnë përdorimin e pajisjeve për matjen e cilësisë së ajrit. Përmes kësaj eksperience, ata kuptuan rëndësinë e këtyre matjeve për mjedisin dhe ndikimin që mund të kenë në përmirësimin e cilësisë së jetës. Projekti ka për synim të krijojë një brez të ndërgjegjshëm dhe të angazhuar, jo vetëm në shkollë, por edhe në komunitet, duke ndikuar pozitivisht te prindërit, mësuesit dhe fqinjët.

Tirana Bank beson se edukimi është çelësi për një të ardhme më të mirë. Përmes projekteve si “Shkollat Ekologjike”, banka konfirmon përkushtimin e saj ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe krijimit të një shoqërie që kujdeset për mjedisin. Ky është një tjetër hap për të ndërtuar një të ardhme ku fëmijët tanë edukohen dhe frymëzohen për të bërë ndryshimin që bota ka nevojë.