E para bankë private në tregun lokal, themeluar në vitin 1996, Tirana Bank ka sot mbi 470 punonjës dhe një rrjet prej 34 degësh të shtrira në 21 qytete kryesore të vendit, të cilët i konsideron një garanci për suksesin në vazhdimësi

Anisa Keri, që drejton Burimet Njerëzore në Tirana Bank, sjell tablonë e sotme në menaxhimin e punonjësve dhe perspektivën për zhvillimet e aktivitetit.

Përvoja është më e gjatë se e çdo banke tjetër private. Si ndihen sot punonjësit e Tirana Bank?

Gjatë gjithë këtyre viteve kemi arritur të formojmë një ekip me përvojë të jashtëzakonshme profesionale, pse jo edhe jetësore. Ne kemi rreth 23% të punonjësve që e kanë shoqëruar bankën që në fillim të udhëtimit të saj, ashtu si kemi edhe një numër të konsiderueshëm punonjësish të lindur në vitet’90. Departamenti i Burimeve Njerëzore ka krijuar një mjedis gjithëpërfshirës, ku njihen vlerat e secilit brez dhe, mbi të gjitha, duke mundësuar sinergjinë e përvojave më të mira që mund të ofrojë secili individ.

Ekipi ka treguar me rezultate konkrete se dinë ta rendisin Tirana Bank në krye të sektorit në disa tregues. Do përmendja rritjen e aktivitetit të kreditimit me 21% gjatë vitit të kaluar, që është normë më e lartë se mesatarja e sektorit bankar në vend, si dhe rritjen me 18% të totalit të aseteve, që është më e madhja në historinë e bankës. Këto suksese e bëjnë çdo punonjës të ndihet krenar.

Cilat sfida konsideroni si më të fortat në punën tuaj?

Përshtatja e mjedisit të punës me risitë teknologjike do të jetë kryefjalë e Tirana Bank, por edhe e shumë industrive të tjera. Ridimensionimi i funksioneve të punës dhe vënia në zbatim e njohurive në pozicione të reja brenda kompanisë tonë, por edhe në kompanitë e tjera të Grupit BALFIN, është një tjetër drejtim ku jemi fokusuar.

Aktualisht çdo punonjës i ri bëhet pjesë e “programit të orientimit”, ku njihet me aktivitetin dhe kulturën e bankës. Më tej, në muajin e parë të punës, punonjësit udhëhiqen nga mentorë të dedikuar, të cilët ndajnë me të rinjtë ekspertizën profesionale. Ne jemi në kërkim të vazhdueshëm të formave të reja dhe alternative për nxitjen e bashkëpunimit dhe zhvillimit të punonjësve.

Do veçonit disa praktika në dobi të punonjësve?

Sistemi i gradimit të pozicioneve të punës, i cili përcakton qartë kriteret e ngritjes së strukturave organizative dhe të zhvillimit të karrierës. Politikat tona të shpërblimit për punonjësit, të cilat vlerësojnë kontributin e secilit në realizimin e objektivave të bankës. Fakti që mundësitë për zhvillim profesional vlejnë edhe përtej Tirana Bank, si mundësi promovimi në të gjithë aktivitetin e Grupit BALFIN.

Gjithashtu programet për kujdesin shëndetësor dhe aktivitetet e ndryshme që nxisin punonjësit të zgjedhin një stil të shëndetshëm jetese, ku do të përmendja paketën e kontrollit mjekësor periodik për të gjithë punonjësit, sesionet informuese me mjekë të specialiteteve të ndryshme, si edhe fushata ndërgjegjësuese krahas kontrolleve mjekësore të ofruara në ambientin e punës.

Si mendohet e ardhmja për Tirana Bank në lidhje me kapitalin e saj njerëzor?

Punonjësit janë përçuesit kryesorë të vlerave të bankës tonë. Dialogu është i vazhdueshëm dhe inkurajohet nëpërmjet kanaleve të brendshëm të komunikimit. Tashmë kemi një proçes të rikonceptuar për vëmendjen që tregojmë ndaj talenteve, duke filluar nga përfshirja e rreth 120 të rinjve në praktikat studentore çdo vit, tek rritja e vazhdueshme profesionale e stafit. Shifra prej 7,1 ditësh trajnimi për punonjës gjatë vitit 2021 na rendit mbi mesataren vendase të këtij sektori.

Shpreh bindjen se kemi krijuar një mjedis pune dhe kulturë korporative që udhëhiqet nga vlerat, ndaj do të ofrojmë përherë një përvojë të shkëlqyer për punonjësit dhe klientët tanë.

Tirana Bank vijon me sukses të jetë pranë klientëve, të përkushtuar për të përmirësuar në çdo hap cilësinë e shërbimit me synim forcimin e një marrëdhënie të frytshme dhe afatgjatë. Vëmendja maksimale i është kushtuar rritjes së bazës së klientelës, rritjes së koefiçentit të shitjeve të kryqëzuara, rritjes së kënaqësisë së klientit, si dhe digjitalizimit.

Znj. Canaj, jemi gati në tre-mujorin e fundit të vitit 2022. Si ka qenë ky vit, deri më tani, për Divizionin e Retail në Tirana Bank?

Strategjia e zhvillimit ka vijuar të realizohet me suk­ses, duke raportuar performancë shumë pozitive në të gjithë indikatorët komer­cial, me normë rritje më të lartë sesa mesatarja e sektorit bankar në Shqipëri.

Që prej vitit 2018, Tirana Bank ka patur një rritje të konsiderueshme në aktivitetet kryesore Retail; 44% rritje në portofolin e depozitave (nga 411 mio EUR ekv në 590 mio EUR ekv), 65% rritje në stokun e kartave të kreditit (nga 3,500 karta në 5,800) si dhe 229% rritje në portofolin performues të kredisë (nga 45 mio EUR ekv në 148 mio EUR ekv).

Dëgjojmë shpesh të flitet për digjitalizimim. Konkretisht, çfarë masash keni ndërmarrë në këtë drejtim?

Unë nuk besoj se digjitalizimi tanimë është zgjedhje... vendosim ta bëjmë apo jo... Në të kundërt, mendoj se është një diktat i së tashmes dhe detyra jonë është të ofrojmë zgjidhjet më të mira digjitale për një klientelë gjithmonë e më kërkuese. Transformimi digjital mbetet në fokusin e biznesit të Tirana Bank duke optimizuar dhe lehtësuar shërbimet për klientët tanë.  

Platforma jonë digjitale, TiBank, ofron komoditet dhe lehtësi në aksesimin e produkteve bankare 24/7. Krahas shumëllojshmërisë së shërbimeve të ofruara, TiBank u ofron mundësi klientëve të kursejnë kohë dhe kosto, duke i realizuar transaksionet në një mjedis të sigurt dhe komod. Jam shumë e lumtur kur shoh rritjen konstante të përdoruesve të platformës sonë digjitale TiBank muaj pas muaji; pothuasje 30% e klientëve tanë aktiv janë tashmë përdorues të TiBank. Duke ju referuar vetëm vitit aktual kemi një rritje substanciale prej 120% në përdorues të platformës digjitale (nga 10,000 në 22,000).

Së fundmi, ne kemi krijuar një strukturë të posaçme të marketing-ut digjital, e cila është përgjegjëse, ndër të tjera, për gjenerimin e klientëve të rinj nga kanale digjitale. Deri para pak vitesh ishte normale që klientët të drejtoheshin pranë degëve tona pasi kishin parë një reklamë në televizor. Sot realiteti është tjetër. Për sa kohë klientët janë përballë SmartPhone-it, aty duhet të gjendemi dhe ne. Me ketë në mendje kemi lançuar aktivitetin e marketing-ut digjital për t’u ofruar klientëve tanë një eksperiencë digjitale të kënaqshme, dhe të kërkuar, me shpresën se ky rrugëtim, në një të ardhme të afërt, do të jetë ‘end-to-end’ digjital.

Cilat janë sfidat kryesore në ofrimin e shërbimit të klientit?

Klientët e sotëm bankar presin shumë më tepër sesa thjesht norma të mira dhe shërbime të sigurta; ata pretendojnë një përvojë pozitive. Ky fakt më gëzon, pasi gjatë këtyre viteve kemi investuar bindshëm në rritjen profesionale të ekipeve tona shitëse për të përmbushur pikërisht këtë kërkese të klientëve. Ndihemi gati për të përmbushur pritshmëritë e së tashmes, gjithmonë duke vlerësuar potencialin për zhvillim dhe rritje të mëtejshme, për një të ardhme të sigurtë.

Ne mbetemi shumë të fokusuar në krijimin e marrëdhënieve të thella dhe të qëndrueshme që përmbushin nevojat financiare të klientëve me produkte dhe shërbime të personalizuara.

Fokusi ynë strategjik tashmë tejkalon synimin për të ofruar thjeshtë një përvojë të kenaqshme për klientët tanë; tanimë ne aspirojmë të krijojmë ambasadorë të markës Tirana Bank në çdo klient që ndërvepron me bankën tonë.    

Kemi investuar në përditësimin e sistemeve ekzistuese dhe implementimin e sistemeve të reja bankare si dhe në rishikim e një sërë manualesh dhe proçedurash me qëllim optimizimin e proçeseve për të mundësuar lehtësi, shpejtësi dhe cilësi në ofrimin e shërbimeve bankare.

Gjithashtu, skuadrat tona në rrjetin e degëve kanë realizuar cikle me trajnime të dedikuara mbi teknikat e shitjes dhe përvojën e klientit. Objektivi kryesor ka qenë standartizimi dhe optimizimi i procesit të shitjes, duke rritur kujdesin ndaj klientit dhe aftësitë komunikuese me të. Ne kemi një strukturë të posaçme në Divizionin Retail, qëllim i së cilës është rritja e efektshmërisë së forcës shitëse. Kjo strukturë ka ndryshuar përqasjen me klientin, ka rritur proaktivitetin si dhe ka ndikuar ndjeshëm në mendësinë dhe qasjen e skuadrave tona. 

Në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të përvojës së klientit, kemi konceptuar produkte të cilat ofrojnë një eksperiencë të kënaqshme bankare për klientët tanë. Unë jam shumë krenare që jemi e vetmja bankë në shqipëri që ofrojme kartën e debitit ne çast në të gjitha degët tona. Gjithashtu, në bashkëpunim me programin më të madh të besnikërisë në vend, HAPPY, kemi lançuar kartën e kreditit Visa Co-Branded. Kjo kartë, e krijuar në kuadër të sinergjisë me kompanitë e Grupit Balfin, u ofron klientevë tanë një skemë të mirëfilltë shpërblimi, me qëllim rritjen e kënaqësisë dhe besnikërisë së klientëve ndaj Tirana Bank. Karta Happy është mënyra jonë me e thjeshtë për t’i thënë ‘faleminderit’ të gjithë atyre që na besojnë financat personale.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, është fokusi i vazhdueshëm tek Zëri i Klientit. Duke patur në konsideratë rëndësinë që kanë reagimet e klientëve, si burimi kryesor në të cilin bazohemi për përmirësimin e vazhdueshëm, mbetemi të angazhuar në trajtimin në kohë të çdo kërkese apo ankese që vjen nga klienti. Çdo kritikë, sugjerim dhe/apo këshillë është e mirëseardhur; vëmendja jonë është pikërisht tek këto sugjerime për të vazhduar suksseshëm rrugën tonë drejt ofrimit të përvojës më të mirë në treg sipas standardeve që na dikton e tashmja!

 

Tirana Bank vijon të raportojë ecuri pozitive dhe rritje të aktivitetit. Z. Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv tregon më shumë mbi arritjet e Bankës dhe strategjinë e zhvillimit të aktivitetit

1. Referuar të dhënave të publikuara në Raportin Vjetor 2021 si dhe në komunikimet e kohëve të fundit shfaqet ecuria pozitive e aktivitetit të Tirana Bank. Cilët do të veçonit si  komponentë kryesorë që konfirmojnë këtë progres?

Tirana Bank është një nga bankat më aktive në tregun lokal. Që nga viti 2019, që përkon me ndryshimin e strukturës aksionere si dhe të përcaktimit të strategjisë për zgjerim të aktivitetit,

Banka vijon të raportojë performancë me rritje të qëndrueshme. Dëshiroj të ndaj me klientët, investitorët, partnerët dhe bashkëpunëtorët tanë disa nga zhvillimet më të rëndësishme të Bankës sonë, si me poshtë:

Për të katërtin vit radhazi, përgjatë periudhës 2019-2022, norma e rritjes në secilin prej indikatorëve kryesore komerciale – Totali i Aseteve, Depozitat dhe Kreditë – është më e lartë se norma mesatare e rritjes në sektorin bankar në Shqipëri.

Depozitat e klientëve nga 463 milionë Euro në 2018 vlerësohet të arrijnë në rreth 790 milionë Euro në fund të vitit 2022, me normë rritje rreth 70% në këto 4 vite, e mundësuar gjithashtu edhe nga zhvillimet pozitive në tregun lokal. Rritja konstante e depozitave të klientëve, si dhe emetimi me sukses nga ana e Bankës i dy bondeve korporative afat-gjata, blerë tërësisht nga investitorë individual, janë tregues të qartë të nivelit të besimit dhe besnikërisë së klientëve ndaj Bankës sonë, reputacionit të mirë që gezojmë në treg si dhe i objektivit tonë të palëkundur për të rritur e përmirësuar vazhdimisht cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit.

Volumi i kredive nga 198 milionë Euro në 2018 vlerësohet të arrijë në 480 milionë Euro në fund të vitit 2022, me normë rritje 142% në këto 4 vite. Objektivi ynë është që ofrojmë mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin dhe modernizimin e ekonomisë lokale. Tirana Bank trajton gjerësisht kërkesat e mijëra individëve dhe të familjeve me produkte kreditimi afat-gjata për blerje shtëpie sikurse edhe me kredi konsumatore dhe karta krediti. Gjithashtu, ofrojmë kredi për mjete xhiroje dhe për investime afat-mesme dhe afat-gjata në favor të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorë dinamik të ekonomisë, si dhe në financimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës publike dhe private.

Në vitin 2021 Tirana Bank ka realizuar rritjen më të madhe vjetore te Totalit të Aseteve (rreth 122 milionë Euro ose +18%) përgjatë historikut 25-vjecar të aktivitetit, duke rikonfirmuar faktin që strategjia e zhvillimit dhe zgjerimit të prezencës sonë ka vijuar të realizohet me sukses.

Rezultatet pozitive dhe në rritje të indikatorëve komerciale si dhe të përfitueshmërisë nga aktiviteti na inkurajojnë në përpjekjet tona për zgjerim të mëtejshëm të aktivitetit, duke vlerësuar çdo oportunitet dhe sinergji biznesi.

 

2.   Tirana Bank është Banka e parë me kapital privat e themeluar në Shqipëri. Cfarë do të thotë 26 vite eksperiencë, si një institucion financiar që vijon të ruajë një prezencë të rëndësishme në treg?

Tirana Bank hodhi themelet e bankës me kapital privat dhe aktualisht vijon të mbetet një nga institucionet financiare më të rëndësishme në tregun lokal. Në këto 3 dekada kemi konsoliduar emrin e mirë të Bankës sonë, si i vetmi institucion financiar me emërtim vendas, si dhe një marke tregtare domethënëse që ofron besim dhe gëzon reputacion të lartë.

Banka jonë i ofron shërbime dhe produkte mbi 130,000 klientëve, që janë individë, biznese private, ndërmarrje publike si dhe klientë institucionalë, nëpërmjet një rrjeti prej 34 Degësh aktive që operojnë në qendrat më të rëndësishme të banuara në Shqipëri, si dhe një rrjet të zgjeruar të ATM-ve. Tirana Bank vijon të investojë vazhdimisht në teknologji, për të mundësuar përqasjen e klientëve drejt shërbimeve digjitale, duke besuar se kjo është tendencë globale dhe e ardhmja e padiskutueshme e ofrimit të shërbimeve bankare ndaj klientëve.

Banka ka një situatë të shëndoshë të likuiditetit dhe të kapitalit, sikurse edhe eksperiencën e duhur institucionale, të stafit, të strukturave drejtuese si dhe të organeve mbikqyrëse, për të garantuar performancë pozitive dhe të shëndetshme të aktivitetit.

Tirana Bank ka si objektiv strategjik të vijojë rritjen organike, duke synuar që brenda një periudhe afat-shkurtër Totali i Aseteve të arrijë shifrën ekuivalent të 1 miliardë Eurove.

 

 

 

 

Si mundet Tirana Bank të plotësojë më mirë nevojat dhe pritshmëritë e të rinjve në Shqipëri me produkte, shërbime dhe aktivitete të dedikuara, për një përvojë sa më miqësore?

Kësaj sfide të shtruar në konkursin e “Sfidave të Biznesit” organizuar nga Tirana Bank në partneritet me B4Students, iu bashkuan me propozimet e tyre studentët pjesëmarrës, 9 prej të cilëve u kualifikuan për fazën finale.

Një juri me Drejtues Ekzekutiv të Bankës znj.Elona Gjipali, znj.Glenda Kurti dhe z.Idlir Mezini, zgjodhën tre idetë më të mira, që erdhën nga Blerta Dodaj, studente në University of the People në ShBA, Klaudia Meha, studente në shkollën Herman Gmeiner në Tiranë, dhe Alba Tema, studente e Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Fituesve iu mundësua shpërblim monetar, trajnim profesional në platforma ndërkombëtare online si edhe pjesëmarrja në programin e praktikës profesionale dhe punësimit në shoqëritë e Grupit BALFIN.

Në përfundim të aktivitetit, të gjithë finalistët u pajisën me çertifikatë, si vlerësim për angazhimin dhe cilësinë e lartë të përgatitjes.

Aktivitete të tilla të ndërmarra nga Tirana Bank dhe B4Student synojnë nxitjen e inovacionit dhe të të menduarit analitik nga studentët në zgjidhjet që mund të gjenerohen për sfida reale që has biznesi në Shqipëri.

“Konkursi i Sfidave të Biznesit ishte një eksperiencë e veçantë dhe njëkohësisht e bukur për mua. Njoha miq të rinj, prezantova punën time përballë përfaqësuesve të lartë të Tirana Bank, dhe u vlerësova me çmimin e parë. Programi B4Students është një ndihmë mjaft e madhe ndaj studentëve të cilët kanë pasion biznesin dhe jo vetëm. Pres me padurim projektin e radhës të B4Students.” tha Blerta, fituese e vendit të parë.

B4Students ka nisur regjistrimet në edicionin e tretë të Konkursit të Ideve të Biznesit, për studentët që kërkojnë të nisin një biznes dhe u nevojitet mbështetje financiare, trajnim praktik dhe mentorim nga ekspertë.