Tirana Bank & Fondacioni Mane mbështesin brezin e ri për një mjedis më të gjelbër.

Më 5 Qershor 2025, në Ditën Botërore të Mjedisit, nxënësit e shkollës “Rilindja” në Vlorë organizuan Festivalin Ekologjik, në kuadër të projektit “Shkollat Ekologjike për Klimën dhe Mjedisin”, organizuar nga Save the Children me mbështetjen e Fondacionit Mane dhe Tirana Bank.

Festivali ishte finalizimi i një viti pune, ku fëmijët u angazhuan si aktorë të vërtetë të ndryshimit. Ata prezantuan me krenari rezultatet e tyre përmes performancave, ekspozitave dhe aktiviteteve kreative me fokus mjedisin.

Qëllimi i aktivitetit ishte të promovonte edukimin mjedisor dhe të nxitë fëmijët që të marrin rol aktiv në përballjen me sfidat klimatike, duke u shndërruar në aktorë të ndryshimit si në shkollë ashtu edhe në komunitet.

Fëmijët u kthyen në edukatorë, artistë, studiues dhe aktivistë. Me një pasion që të frymëzon, ata ndanë me të tjerët gjithçka që kishin përjetuar gjatë vitit:

  • Raporte për ndotjen e ajrit, të realizuara vetë prej tyre, pas një procesi të kujdesshëm matjesh e analizash. Me sy kritik dhe ide konkrete, ata na treguan se si edhe një klasë mund të matë e kuptojë ndotjen.
  • Ekspozita me materiale të ricikluara, ku çdo objekt mbante një histori,  një lodër e harruar që u kthye në art, një kuti kartoni që u bë simbol i kujdesit për Tokën.
  • Sfilatë ekologjike, ku fëmijët realizuan një sfilat me veshje të krijuara nga materiale të riciklueshme, duke përcjellë mesazhe të fuqishme si: “Planeti nuk është në shitje”, “Ndryshimi fillon nga unë”, “Mos e hidh – ktheje në art”.
  • Kënd botanik i ndërtuar nga vetë fëmijët, një hapësirë ku shkolla lidhet me natyrën dhe nxënësit bëhen kujdestarë të gjelbërimit.
  • Dhe sigurisht, vallëzime e këngë me tematikë mjedisore, që sollën frymë pozitive dhe trashëgimi kulturore të lidhur me natyrën.

Tirana Bank është e nderuar të ketë qenë krah fëmijëve dhe mësuesve në këtë rrugëtim frymëzues, duke besuar fort se mbështetja për edukimin dhe mjedisin është një investim i çmuar për të ardhmen. Ky është vetëm fillimi, së bashku, rrisim një brez që do kujdeset për botën me dashuri, dije dhe guxim.