Brisilda Bala: “Siguria që klienti nuk e vëren, sepse asgjë nuk shkon keq”

 

Mesazhi mbërrin në orën 21:40. Thotë se llogaria juaj do të bllokohet brenda dhjetë minutash nëse nuk konfirmoni të dhënat. Logoja duket e bankës, gjuha është e sjellshme, pa asnjë gabim drejtshkrimor. Lidhja është një klik larg. Ajo që ndodh në minutat në vijim varet nga dy gjëra që rrallë përmenden bashkë: puna që banka bën çdo ditë pas ekranit dhe vendimi që merr klienti para se të klikojë. E para përfshin monitorim të vazhdueshëm, plane rimëkëmbjeje të testuara, kontrolle aksesi dhe standarde ndërkombëtare të verifikuara nga auditues të jashtëm. Klienti nuk i sheh. Pikërisht kështu duhet të jetë.

Brisilda Bala, CFA, Chief Risk Officer në Tirana Bank, flet për të dyja. Për mënyrën si digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale kanë rivizatuar hartën e rreziqeve, për përgjegjësinë që banka merr kur i besohen të dhënat personale dhe për ekuilibrin mes sigurisë dhe një shërbimi pa pengesa. Por edhe për anën e klientit: çfarë duhet bërë menjëherë pas një klikimi të gabuar, cilat zakone e mbrojnë llogarinë dhe pse një kredi e mirë është ajo që shlyhet pa e vënë jetën financiare në vështirësi.


Besimi është në themel të marrëdhënies me bankën. Cilat janë gjërat që klienti nuk i sheh, por që banka duhet t’i bëjë çdo ditë për ta merituar atë?

Besimi ndaj një banke nuk ndërtohet me fjalë, por me një disiplinë të përditshme, e cila në pjesën më të madhe mbetet e padukshme për klientin. Kur klienti hap aplikacionin, tërheq para ose merr një kredi, ai pret që çdo gjë të funksionojë saktë dhe në mënyrë të sigurt. Pas kësaj pritshmërie qëndrojnë një sërë procesesh të vazhdueshme dhe shpesh komplekse.

Për të garantuar këtë nivel sigurie, bankat ngrenë sisteme monitorimi të vazhdueshëm, kryejnë testime periodike të aspekteve të sigurisë, kontrollojnë rreptësisht të drejtat e aksesit, monitorojnë dobësitë (vulnerabilitetet) dhe përditësojnë sistemet. Ato hartojnë dhe testojnë plane të vazhdimësisë së biznesit dhe të rimëkëmbjes, me qëllim që klienti të mos ndjejë asnjë ndërprerje të shërbimit. Kësaj i shtohen procese të tjera për identifikimin e mashtrimeve, si dhe përmbushja e vazhdueshme e kërkesave ligjore e rregullative, të cilat duhen respektuar në çdo kohë.

Në thelb, një bankë meriton besimin e klientëve të saj kur sillet me të njëjtën korrektësi edhe atëherë kur askush nuk e vëzhgon. Një sistem i mirë i menaxhimit të rreziqeve është pikërisht kjo: siguria që klienti nuk e vëren, sepse asgjë nuk shkon keq.


Shërbimet bankare po bëhen gjithnjë e më të shpejta dhe digjitale. Si ka ndryshuar kjo hartën e rreziqeve dhe cilat kërkojnë më shumë vëmendje sot?

Digjitalizimi ka zhvendosur peshën e rrezikut nga dega fizike drejt kanalit dixhital. Rreziqet tradicionale, si ai i kredisë dhe i likuiditetit, mbeten themelore, por përtej tyre kanë marrë rëndësi të veçantë kategori të tjera. Vëmendje shumë më të madhe kërkojnë tani rreziku kibernetik, siguria e informacionit, mashtrimi dixhital dhe vijueshmëria e operacioneve. Sot, kanali më i cenueshëm që shfrytëzon sulmuesi nuk është sistemi, por njeriu.

Me përhapjen e shërbimeve cloud, të ofruesve fintech dhe të përdorimit të API-ve, rreziku që vjen nga palët e treta është ndër më të rëndësishmit, megjithëse shpesh nuk i kushtohet fokusi i duhur. Dobësitë te këta partnerë të jashtëm mund të shndërrohen lehtësisht në dobësi për çdo institucion financiar, nëse nuk merren masat e nevojshme. Ky rrezik kërkon vëmendje të shtuar sidomos kur ekziston përqendrim i konsiderueshëm te një ofrues, veçanërisht në drejtim të vijueshmërisë së shërbimeve. Pagesat e menjëhershme (instant) e bëjnë edhe më të ndjeshme nevojën për siguri, pasi nuk lënë mundësi për korrigjimin e një veprimi të gabuar.

Zhvillimi teknologjik dhe digjitalizimi i shërbimeve mund të përfshijnë përdorimin e algoritmeve, për shembull në vlerësimin e aplikimeve për kredi apo në zbulimin e mashtrimeve. Kjo vë në qendër të vëmendjes cilësinë e të dhënave, ndërtimin e modeleve statistikisht të forta, si dhe validimin dhe monitorimin periodik të tyre.

Në tërësi, digjitalizimi zgjeron kanalet e komunikimit dhe të marrëdhënies me institucionin, por njëkohësisht lejon që incidentet apo ngjarjet e padëshiruara të përhapen shpejt dhe të dëmtojnë besimin. Rreziku reputacional bëhet kështu një pikë veçanërisht delikate, që kërkon vëmendje të posaçme.

Përgjigjja ndaj kësaj harte të re është një qasje e integruar, e cila përfshin jo vetëm një tërësi procesesh për garantimin e integritetit, por edhe edukimin e vazhdueshëm të klientëve dhe të punonjësve tanë.


Kur një klient i beson bankës të dhënat personale dhe financiare, çfarë përgjegjësie merr banka përsipër? Si e siguroni që mbrojtja e tyre të jetë pjesë e punës së përditshme të çdo punonjësi?

Banka merr përsipër një detyrim të trefishtë: ligjor, profesional dhe moral. Nga pikëpamja ligjore, ajo është kontrollues i të dhënave dhe duhet t’i përpunojë ato vetëm për qëllime të përcaktuara, në masën e nevojshme, me siguri të mjaftueshme dhe për kohën e lejuar. Nga pikëpamja profesionale, ajo i nënshtrohet sekretit bankar. Nga pikëpamja morale, ajo mban përgjegjësi për një gjë që klienti nuk mund ta rikthejë nëse e humbet: privatësinë e tij.

Që mbrojtja të mos mbetet një politikë e shkruar në letër, ajo duhet të shndërrohet në kulturë. Në praktikë, kjo arrihet përmes:

●  Trajnimeve të rregullta dhe të detyrueshme për të gjithë stafin.

●  Zbatimit të parimit “need-to-know”, sipas të cilit secili punonjës ka akses vetëm në të dhënat që i nevojiten për kryerjen e detyrës, nën monitorimin e duhur të çdo qasjeje dhe me rishikim periodik të të drejtave.

●  Mbrojtjes teknike, që përfshin inkriptimin, maskimin e të dhënave, parandalimin e rrjedhjes së tyre (DLP) dhe ndarjen e mjediseve të testimit nga ato të prodhimit.

●  Privatësisë që nga dizajni, që nënkupton se çdo produkt apo proces i ri i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mbrojtjen e të dhënave përpara se të përdoret gjerësisht.

●  Përgjegjësisë së qartë, e cila nuk përfundon me emërimin e një zyrtari për mbrojtjen e të dhënave, por nënkupton këshillim të vazhdueshëm mbi kërkesat e privatësisë, procedura për njoftimin e shpejtë të incidenteve dhe pasoja disiplinore për shkeljet.

●  Kulturës së raportimit pa frikë, ku punonjësi që raporton një gabim në kohë konsiderohet partner i sigurisë, jo person fajtor.

●  Kanaleve të komunikimit me publikun, klientët dhe partnerët tanë, për njohjen me politikat tona të privatësisë dhe për përcjelljen e kërkesave të tyre në çështje që lidhen me privatësinë.

Qëllimi është që çdo punonjës ta përjetojë mbrojtjen e të dhënave si pjesë natyrale të profesionit të tij.

Nëse klienti ka klikuar, ka ndarë një kod ose ka konstatuar një transaksion të panjohur, çfarë duhet të bëjë menjëherë? Si e mbështet banka në ato momente?

Në raste të tilla çdo minutë ka rëndësi. Klienti nuk duhet të ndihet i turpëruar apo ta shtyjë raportimin, sepse mashtrimi mund të godasë këdo, edhe personat më të kujdesshëm. Hapat e menjëhershëm janë:

●  Të kontaktojë bankën menjëherë përmes numrit zyrtar (të printuar në kartë ose në faqen zyrtare), dhe jo përmes numrit që i është dhënë nga telefonuesi apo nga mesazhi i dyshimtë.

●  Të bllokojë kartën dhe/ose aksesin, kur ka këtë mundësi përmes platformës digjitale ose aplikacionit bankar.

●  Të ndërrojë kredencialet nga një pajisje e besuar dhe të heqë aplikacionet e panjohura që mund të ketë instaluar.

●  Të mos ndajë më asnjë kod apo informacion, edhe nëse telefonohet nga persona që pretendojnë se përfaqësojnë bankën apo policinë.

●  Të ruajë provat: mesazhet, numrat e telefonit, lidhjet dhe kohën e ngjarjes, si dhe të paraqesë kallëzim te autoritetet kompetente nëse ka pasur dëm.

Mbështetja nga banka përfshin: një linjë emergjente të shpejtë; bllokimin e menjëhershëm të kartës dhe të kanaleve; ndalimin ose tërheqjen (recall) të transaksionit kur kjo është ende e mundur; hetimin e rastit sipas procedurave të brendshme dhe kornizës ligjore; zëvendësimin e kartës dhe rivendosjen e sigurt të aksesit; si dhe komunikim të qartë e respektues me klientin gjatë gjithë procesit. Banka duhet gjithashtu të nxjerrë mësime nga çdo incident për të përmirësuar kontrollet e saj.


Cilat janë tri zakonet e thjeshta që do t’i këshillonit çdo klienti për të mbrojtur llogarinë, kartën dhe të dhënat e veta?

Siguria e mirë nuk kërkon dije teknike, por disa zakone të qëndrueshme:

1. Mos i ndaj kurrë kodet, PIN-in ose fjalëkalimet. Banka nuk të kërkon asnjëherë kodin OTP, PIN-in apo fjalëkalimin, as përmes telefonatave e as përmes mesazheve. Nëse dikush i kërkon, është mashtrim, pavarësisht sa bindës tingëllon apo sa urgjente duket situata.

2. Verifiko para se të klikosh ose të veprosh. Mos hap lidhje në SMS, email apo rrjete sociale. Hyr në aplikacion ose në faqen zyrtare duke e shkruar vetë adresën. Kur dikush të ushtron presion kohor (për shembull: “llogaria bllokohet brenda 10 minutash nëse nuk kryen veprimin e kërkuar”), ndalo dhe telefono bankën në numrin zyrtar.

3. Monitoro dhe përforco llogarinë tënde. Aktivizo njoftimet SMS/push për çdo transaksion, përdor fjalëkalime të forta dhe unike, aktivizo biometrinë ose autentikimin me dy faktorë, mbaje telefonin të përditësuar dhe kontrollo lëvizjet rregullisht. Çdo veprim i panjohur duhet raportuar menjëherë.

Këto tri zakone parandalojnë pjesën më të madhe të mashtrimeve që ndodhin sot.


Siguria shpesh kërkon kode, konfirmime dhe kontrolle shtesë. Si e gjeni ekuilibrin mes mbrojtjes së klientit dhe një eksperience të lehtë, pa pengesa të panevojshme?

Siguria dhe lehtësia nuk janë kundërshtare, por kërkojnë një dizajn të menduar mirë. Fërkimet e panevojshme mes tyre e demotivojnë klientin dhe e shtyjnë drejt zgjidhjeve më pak të sigurta, ku mungesa e kontrollit e ekspozon ndaj humbjes.

Ekuilibri arrihet kryesisht përmes qasjes së bazuar në rrezik. Sistemet e zbulimit të mashtrimit vlerësojnë sinjalet në kohë shumë të shkurtër, duke e bërë mbrojtjen të padukshme për klientin legjitim. Biometria dhe autentikimi përmes aplikacionit zëvendësojnë kodet e gjata dhe fjalëkalimet e vështira. Konfirmimet shtesë, kurdo që janë të nevojshme, duhet të shpjegojnë shkurtimisht qëllimin e tyre, në mënyrë që klienti t’i shohë si mbrojtje dhe jo si pengesë.

Praktikë e mirë mbetet gjithashtu marrja e opinionit të klientëve për kalibrimin e vazhdueshëm të sistemit dhe të proceseve. Parimi themelor mbetet i pandryshuar: kontroll i fortë aty ku rreziku është i lartë.


Inteligjenca artificiale po krijon mundësi të reja, por edhe forma më bindëse mashtrimi. Si po ndryshon mënyra e parandalimit dhe çfarë duhet të dinë klientët për këto rreziqe?

Inteligjenca artificiale është shpatë me dy tehe. Nga njëra anë, mashtruesit e përdorin për të krijuar mesazhe phishing pa gabime gjuhësore, për të klonuar zërin e një të afërmi ose të një drejtuesi dhe për të prodhuar video e imazhe të falsifikuara. Nga ana tjetër, bankat e shfrytëzojnë për mbrojtje, duke rritur sofistikimin e kontrolleve dhe duke përshpejtuar reagimin.

Metodat aktuale të parandalimit mbështeten në analizën e sjelljes dhe në zbulimin e anomalive në kohë reale, shumë më shpejt se rregullat statike. Biometria dhe verifikimi i gjallesës (liveness detection) përdoren për të dalluar personin real nga imazhi apo videoja e manipuluar. Një praktikë tjetër e zakonshme janë verifikimet shtesë (callback) për urdhrat e pazakonta, sidomos për klientët biznes, pavarësisht sa i besueshëm duket kërkuesi.

Klientët duhet të kuptojnë se:

● Zëri, fotoja dhe video-thirrja nuk janë më prova të sigurta identiteti. Nëse një i afërm ose “përfaqësues i bankës” kërkon para apo kode me ton urgjence, këshillohet që klienti ta mbyllë telefonatën dhe të thërrasë përsëri në numrin që e di me siguri.

● Mesazhet gramatikisht të sakta dhe të personalizuara mund të jenë ende mashtrim; ato kërkojnë gjithmonë verifikimin e dërguesit, sidomos kur përmbajnë kërkesa për kode apo transferime parash.

● Ofertat për fitime të larta, investimet “të garantuara” apo kriptovalutat, përfshirë reklamat e përshtatura sipas profilit të klientit, duhen verifikuar në burime zyrtare.

● Me familjarët mund të dakordësohen “fjalë kyçe” për raste emergjence, si masë e thjeshtë kundër klonimit të zërit.

Parimi mbetet i njëjtë: teknologjia ndryshon, por rregulli “ndalo, verifiko, pastaj vepro” vlen gjithmonë.

Nëse lexuesit do të mbanin mend vetëm një këshillë nga ky artikull, cila do të donit të ishte?

Këshilla që do të doja të jepja është e thjeshtë dhe mbron nga shumica e mashtrimeve:

Banka nuk do të të kërkojë kurrë kodin, PIN-in ose fjalëkalimin tënd. Nëse dikush e bën, ndalo, mbyll komunikimin dhe kontakto bankën vetëm në numrin zyrtar.
Teknologjia dhe mashtruesit ndryshojnë vazhdimisht, por ky rregull mbetet i vlefshëm. Banka mban përgjegjësinë për sistemet, kontrollet dhe mbështetjen, ndërsa klienti e ka në dorë momentin e vendimit. Besimi ruhet kur të dyja palët e kryejnë mirë rolin e tyre: banka me kujdes të vazhdueshëm, klienti me vigjilencë dhe me guxim për të pyetur përpara se të veprojë.