Më 8 dhe 9 Maj 2025, Piramida e Tiranës u transformua në një qendër të gjallë energjie, kreativiteti dhe inovacioni, falë edicionit të 13-të të Festivalit Kombëtar të Sipërmarrjes, GEN-E Albania, organizuar nga Junior Achievement of Albania. Në këtë atmosferë të mbushur me pasion dhe ide të reja, Tirana Bank, për të katërtin vit radhazi, tregoi angazhimin e saj të pandërprerë për të mbështetur edukimin financiar dhe fuqizimin e të rinjve shqiptarë.

Ky festival mblodhi së bashku 150 nxënës nga 41 shkolla të mesme të vendit, të cilët përfaqësuan 26 kompanitë më të mira të krijuara prej tyre gjatë modulit “Kompanitë e Nxënësve”. Ky program i JAA, përmes qasjes “learning by doing”, i ndihmon të rinjtë të ndërtojnë, menaxhojnë dhe drejtojnë kompani reale, duke përgatitur kështu një brez të ri me mendësi sipërmarrëse dhe aftësi praktike.

Nga 26 kompanitë pjesëmarrëse, 9 ishin të fokusuara në zhvillimin e aplikacioneve/software-ve, 4 kishin krijuar pajisje smart dhe inovative, 2 produkte artizanale, 5 inovacionin në mjedis dhe bujqësi, dhe 6 kompani ishin të fokusuara në zgjidhje dhe shërbime mbi shëndetin mendor dhe mirëqenien.

Përkushtimi i Tirana Bank ndaj përgjegjësisë sociale e vendos edukimin në qendër, si një nga shtyllat më të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë. Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Lila Canaj, Drejtuese e Divizionit Retail dhe kryetare e jurisë së festivalit, theksoi:

“Ky aktivitet nuk është thjesht një garë, por një mundësi e çmuar për të rinjtë shqiptarë që të shprehin talentin dhe potencialin e tyre. Tirana Bank është gjithmonë e gatshme t’i mbështesë në këtë rrugëtim, sepse besojmë se së bashku mund të ndërtojmë liderët e së ardhmes.”

Tirana Bank mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që ndikojnë pozitivisht në formimin e brezit të ri sepse besojmë që e ardhmja ndërtohet sot, me dije, guxim dhe përkrahje të vazhdueshme.

Në një atmosferë festive dhe profesionale, Tirana Bank çeli zyrtarisht dyert e degës së saj më të re në zemër të Porcelanit, në datën 6 Maj 2025. Të rrethuar nga klientë të përkushtuar, partnerë të çmuar dhe kolegë të palodhur, festuam një hapësirë të re, e cila simbolizon një vizion të përbashkët për një eksperiencë më të mirë për klientët tanë.

Inagurimi nisi me një mirëseardhje të ngrohtë, ku të ftuarit patën mundësinë të njihen nga afër me ambientet moderne të degës dhe filozofinë që qëndron pas këtij investimi të ri. Dega e Porcelanit përfaqëson një standard të ri për Tirana Bank, një hapësirë ku komoditeti dhe shërbimi cilësor bashkëveprojnë për të krijuar një eksperiencë unike për çdo klient.

Në qendër të eventit ishte fjala përshëndetëse e znj. Lila Canaj, Drejtuese e Divizionit Retail, e cila ndau emocionin e saj me të pranishmit: "Jam shumë e gëzuar që jam këtu për të promovuar degën tonë të re. Ky është një investim që ne po bëjmë në vazhdën e investimeve të tjera që Tirana Bank ka ndërmarrë. Jemi banka me rritjen më të lartë të këtyre viteve dhe besoj se kjo është një dëshmi e qartë që ju po bashkëpunoni me partnerin e duhur."

Hapja e kësaj dege është një hap tjetër i rëndësishëm për Tirana Bank, një investim në vazhdimësi të përkushtimit të Bankës për të qenë pranë çdo klienti dhe për të ofruar një eksperiencë cilësore dhe moderne.

 

 

Në kuadër të vizionit për të nxitur transformimin digjital dhe bashkëpunimin me ekosistemin në rritje të teknologjisë financiare në vend, Tirana Bank organizoi një forum me përfaqësues të 10 startup-eve më premtuese në Shqipëri. Takimi u mbajt në ambientet e Protik Albania në datën 28 Prill 2025 dhe solli së bashku drejtues të bankës, profesionistë të teknologjisë dhe sipërmarrës të rinj, për të diskutuar mbi të ardhmen e bankingut digjital.

Forumi u hap nga Olivier Baur, Zëvendësdrejtor Ekzekutiv i Tirana Bank, i cili ndau vizionin e institucionit për të ardhmen. Sipas tij, Tirana Bank po shndërrohet në një platformë të orientuar nga klientët, ku bashkëpunimi me startup-et dhe fintech-ët është thelbësor për transformimin e shërbimeve financiare në Shqipëri.

Gjatë forumit u trajtuan tema si Digital Onboarding, përvojat e personalizuara të klientëve, mundësitë që sjell Open Banking dhe rrugëtimi inovativ i Tirana Bank. Diskutimet u pasuruan me shembuj konkretë të bashkëpunimit me Fintech-ët dhe ide për partneritete të ardhshme që mund të përshpejtojnë transformimin tonë.

Blerina Nasto, Menaxhere e Transformimit Digjital, theksoi se bashkëpunimi është çelësi për inovacion të qëndrueshëm, duke e cilësuar transformimin digjital si një domosdoshmëri strategjike. Në këtë frymë u prezantua edhe një iniciativë e re nga Marsela Kajo, Drejtuese e Departamentit të Bizneseve të Vogla, e cila ndau një paketë të dedikuar për startup-et: llogari dhe platformë online pa pagesë për gjashtë muaj, për të lehtësuar përfshirjen e tyre në sistemin bankar.

Një tjetër fokus i rëndësishëm i forumit ishte infrastruktura teknologjike, ku Andi Qirjazi, Drejtues i Divizionit të Teknologjisë së Informacionit, ndau zhvillimet më të fundit të bankës në drejtim të teknologjisë Cloud dhe integrimit të standardit PSD2, duke theksuar partneritetet me kompani globale si IBM, Microsoft, Oracle dhe Cisco. Rreth çështjeve të sigurisë, Eni Nesturi, Drejtuese e Departamentit të Sigurisë së Informacionit, konfirmoi se për Tirana Bank mbrojtja e të dhënave dhe përafrimi me standardet ndërkombëtare është prioritet absolut, veçanërisht në kontekstin e zbatimit të Open Banking.

Ky forum përfaqëson një hap domethënës në drejtim të pozicionimit të Tirana Bank si partneri i preferuar financiar për bizneset digjitale dhe një kontribues aktiv në ndërtimin e së ardhmes së bankingut në Shqipëri.