Edukimi financiar dhe inovacioni: Tirana Bank në krah të Nxënësve Sipërmarrës!

Më 8 dhe 9 Maj 2025, Piramida e Tiranës u transformua në një qendër të gjallë energjie, kreativiteti dhe inovacioni, falë edicionit të 13-të të Festivalit Kombëtar të Sipërmarrjes, GEN-E Albania, organizuar nga Junior Achievement of Albania. Në këtë atmosferë të mbushur me pasion dhe ide të reja, Tirana Bank, për të katërtin vit radhazi, tregoi angazhimin e saj të pandërprerë për të mbështetur edukimin financiar dhe fuqizimin e të rinjve shqiptarë.

Ky festival mblodhi së bashku 150 nxënës nga 41 shkolla të mesme të vendit, të cilët përfaqësuan 26 kompanitë më të mira të krijuara prej tyre gjatë modulit “Kompanitë e Nxënësve”. Ky program i JAA, përmes qasjes “learning by doing”, i ndihmon të rinjtë të ndërtojnë, menaxhojnë dhe drejtojnë kompani reale, duke përgatitur kështu një brez të ri me mendësi sipërmarrëse dhe aftësi praktike.

Nga 26 kompanitë pjesëmarrëse, 9 ishin të fokusuara në zhvillimin e aplikacioneve/software-ve, 4 kishin krijuar pajisje smart dhe inovative, 2 produkte artizanale, 5 inovacionin në mjedis dhe bujqësi, dhe 6 kompani ishin të fokusuara në zgjidhje dhe shërbime mbi shëndetin mendor dhe mirëqenien.

Përkushtimi i Tirana Bank ndaj përgjegjësisë sociale e vendos edukimin në qendër, si një nga shtyllat më të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë. Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Lila Canaj, Drejtuese e Divizionit Retail dhe kryetare e jurisë së festivalit, theksoi:

“Ky aktivitet nuk është thjesht një garë, por një mundësi e çmuar për të rinjtë shqiptarë që të shprehin talentin dhe potencialin e tyre. Tirana Bank është gjithmonë e gatshme t’i mbështesë në këtë rrugëtim, sepse besojmë se së bashku mund të ndërtojmë liderët e së ardhmes.”

Tirana Bank mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që ndikojnë pozitivisht në formimin e brezit të ri sepse besojmë që e ardhmja ndërtohet sot, me dije, guxim dhe përkrahje të vazhdueshme.