Tirana Bank vijon rritjen e qendrueshme të aktivitetit dhe të rezultateve financiare.

Z.Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana Bank në një   intervistë ekskluzive për Revistën Monitor theksoi se viti 2022 ishte një vit i jashtëzakonshëm për Tirana Bank referuar performancës ekonomike dhe  financiare. Për herë të parë në historinë prej afro tre dekadash aktivitet, total i aseteve arriti shifrën ekuivalente mbi 1 Miliardë Euro, afersisht dy herë më madhe se në fillim të vitit 2019, që përkon edhe me ndryshimin e strukturë aksionere si dhe përcaktimin e strategjisë për zgjerim të aktivitetit. Z.Mustafa shprehu bindjen se Tirana Bank do të vazhdojë të jetë një nga institucionet financiare më të rëndësishme dhe dinamike në sistemin bankar në vitet në vijim, bazuar në progresin e arritur në vitin 2022.

Të plotë intervistën e z. Mustafa e lexoni sa më poshtë:                

1. Si do ta vlerësonit ecurinë e Tirana Bank gjatë vitit të kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme në bankën tuaj dhe më gjerë në aktivitetin e sistemit bankar shqiptar?

Jam krenar të raportoj se viti 2022 ishte një vit i jashtëzakonshëm për Tirana Bank referuar performancës ekonomike dhe financiare. Për herë të parë në historinë prej afro tre dekadash aktivitet, totali i aseteve arriti shifrën ekuivalente mbi 1 Miliardë Euro, afersisht dy herë më e madhe se në fillim te vitit 2019, që përkon edhe me ndryshimin e strukturës aksionere si dhe përcaktimin e strategjisë për zgjerim të aktivitetit.

Baza jonë e likuiditetit, e mbështetur kryesisht nga depozitat e klientëve, gjithashtu ka pësuar një rritje të dukshme prej 25% krahasuar me një vit më parë, duke arritur në rreth 850 milionë euro. Kjo pasqyron besnikërinë dhe besimin e klientëve ndaj Tirana Bank, duke mundësuar njëherazi rritje të mëtejshme të aktivitetit të kreditimit dhe zgjerim të portofoleve të investimit.

Në vitin 2022 rritëm me sukses portofolin e kredisë me 24%, duke arritur vlerën ekuivalente prej 480 milionë euro. Gjithashtu, raporti ynë i kredisë me probleme është ulur ndjeshëm dhe tashmë është një nga më të ulëtit në sistemin bankar.

Për të forcuar strukturën tonë të kapitalit dhe për të mbështetur rritjen e mëtejshme, ne emetuam me sukses dy obligacione të reja afatgjata të korporatave me vlerë rreth 10 milionë euro.

Rezultatet ekonomike dhe financiare kanë parë rritje të qëndrueshme, të nxitura nga rritja e interesit, komisioneve dhe të ardhurave nga tregtimi. Të ardhurat vjetore janë rritur me 28% krahasuar me nje vit me pare, ndersa fitimi para tatimit është rritur me 35% në rreth 12 milionë euro, që është rezultati më i mirë financiar i Tirana Bank në vitet e fundit.

Jam i bindur se Tirana Bank do të vazhdojë të jetë një nga institucionet financiare më të rëndësishme dhe dinamike në sistemin bankar në vitet në vijim, bazuar në progresin që kemi arritur në vitin 2022.

2. Vitin e kaluar, ekonomia u përball me inflacionin më të lartë në dy dekada dhe me një rritje të shpejtë të normave të interesit. Si u reflektuan këto zhvillime në ecurinë e sektorit bankar?

Pavarësisht sfidave të rëndësishme me të cilat aktorët ekonomike lokale u përballën vitet e fundit, duke përfshirë tërmetin në fund të 2019, fillimin e pandemisë në 2020 dhe konfliktin e fundit Rusi-Ukrainë dhe pasojat e tij globale, sistemi bankar vendas ka treguar qendrueshmëri të lartë. Bankat kanë vazhduar të shërbejnë si ndërmjetës financiarë dhe financues të ekonomisë, duke rritur vazhdimisht nivelet e tyre të kreditimit, të cilat kanë shënuar rritje relative dyshifrore në dy vitet e fundit. Sistemi bankar nuk ka bërë dallime midis llojeve të preferuara të huamarrësve, duke mbetur i hapur për financimin e individëve dhe bizneseve me ritme të ngjashme.

Rritja e aseteve të sistemit bankar, me një normë rritjeje vjetore prej afërsisht 12% në vitin 2022, është nxitur kryesisht nga rritja e depozitave, të cilat gjithashtu kanë shënuar rritje relative dyshifrore dhe statistikisht janë kanalizuar kryesisht drejt rritjes së kreditimit. Pozitiv është vlerësuar edhe reduktimi i kredive me probleme gjatë viteve të fundit, i nxitur nga pastrimi i bilanceve të kryera nga bankat.

Edhe pse viti 2022 u shoqërua me shqetësime të ndryshme makroekonomike si inflacioni relativisht i lartë, rritja e normave të interesit dhe rritja e pasigurisë së tregut, sistemi bankar ka mbetur i qëndrueshëm, me një ulje të ndjeshme të kredive me probleme të raportuara si për portofolet individuale ashtu edhe për ato të biznesit.

Pavarësisht rritjes së ndjeshmërisë ndaj zhvillimeve aktuale makroekonomike dhe ndikimit të tyre në kërkesën konsumatore, klimën e biznesit dhe investimeve vendase, stabiliteti i sistemit bankar në vend është i padiskutueshëm referuar situates mjaft pozitive te likuiditetit dhe te kapitalizimit.

3. Cilat do të jenë objektivat tuaja kryesore për vitin 2023 dhe cilat prisni të jenë sfidat kryesore për biznesin e bankave këtë vit?

Tirana Bank, që prej vitit 1996, mbetet një nga institucionet financiare më të rëndësishme dhe dinamike në Shqipëri. Disa nga objektivat strategjike më të rëndësishëm për vitin 2023 janë rritja e qendrueshme organike e aktivitetit, shtrirja e prezencës në rajon, si dhe rritja e shkallës së digjitalizimit të shërbimeve tona, duke përafruar gjithmonë e më shumë klientët me teknologjinë si një rrugë pa kthim drejt ndryshimeve të modelit të biznesit bankar në të ardhmen.

Tirana Bank është një bankë me profil të qartë ‘retail’, e cila ofron produkte dhe shërbime mijëra klientëve individë. Gjithashtu do të vijojmë të mbështesim nevojat e bizneseve për zgjerim aktiviteti dhe investime, për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës lokale, për diversifikimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, zgjerimin e kapaciteteve turistike si një sektor me rëndësi strategjike për ekonominë shqiptare, si dhe forcimin e prodhimit vendas.

Disa nga sfidat më të rëndësishme në vitin aktual, për ekonominë në përgjithësi dhe segmente të caktuara të klientëve individë dhe biznese në veçanti, do të mbeten sërish presioni inflacionist, normat në rritje të interesit dhe kushtet klimaterike me impakt negativ në burimet e energjisë.

Në Tirana Bank ne besojmë se suksesi i biznesit tonë është i lidhur drejtpërdrejt me kënaqësinë e klientëve tanë dhe ne do t'i japim gjithmonë prioritet nevojave të tyre në aktivitetet tona të përditshme si dhe ne zhvillimet e ardhshme.