Gusht 2026

Bledjana Karafilaj, Drejtuese e Burimeve Njerëzore në Tirana Bank, ndodhet çdo ditë në pikën ku takohen dy botë: pritshmëritë e një brezi të ri që po hyn me ritme të shpejta në tregun e punës dhe transformimi teknologjik që po ndryshon vetë natyrën e profesioneve. Tirana Bank, banka e parë private e themeluar në Shqipëri në vitin 1996 dhe sot një nga institucionet financiare më dinamike në vend, po kalon njëkohësisht një transformim të thellë digjital dhe një rinovim të vazhdueshëm të ekipeve të saj, ku çdo i katërti punonjës i përket Gen Z. Në këtë intervistë, Karafilaj flet për mënyrën se si banka po i përgjigjet këtij brezi, për stereotipet që e shoqërojnë, për ndikimin e inteligjencës artificiale në Burimet Njerëzore dhe për arsyet pse bankingu mbetet një nga industritë me perspektivën më të fortë për zhvillim profesional.
Tregu i punës ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit. Cilat janë ndryshimet më të mëdha që po vëreni në pritshmëritë e kandidatëve dhe si po përshtaten punëdhënësit me këtë realitet të ri?
Ndryshimet më të mëdha i shohim pikërisht tek pritshmëritë e kandidatëve. Brezi i ri nuk kërkon vetëm një vend pune dhe një pagë konkurruese; ai kërkon fleksibilitet, mirëqenie, kuptim në atë që bën dhe mundësi reale për zhvillim profesional. Kandidatët sot janë më të vetëdijshëm për vlerën e tyre dhe më të qartë për atë çfarë presin nga një eksperiencë pune.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me rolet e reja që po krijohen në treg, veçanërisht ato të lidhura me inteligjencën artificiale, teknologjinë, analizën e të dhënave dhe inovacionin. Sot, rreth 50% e aplikantëve për punë i përkasin Gen Z dhe kjo shifër pritet të rritet ndjeshëm. Gjatë dekadës 2030–2040, organizatat do të kenë një situatë unike ku katër breza do të punojnë njëkohësisht: Gen X, Millennials, Gen Z dhe gradualisht edhe Gen Alpha. Kjo do të kërkojë një qasje të re ndaj menaxhimit të njerëzve, ku fleksibiliteti dhe qasja e personalizuar do të jenë thelbësore.
Në këtë realitet të ri, punëdhënësit po kalojnë nga modelet tradicionale, ku hierarkia dhe autoriteti ishin në qendër, drejt kulturave organizative që bazohen tek besimi, bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë. Për brezin e ri, menaxheri nuk shihet më thjesht si vendimmarrës, por si mentor, udhërrëfyes dhe partner në zhvillimin profesional.
Megjithatë, ka edhe sfida. Në shumë kompani, promovimet ose rishikimet e pagave janë të lidhura me cikle vjetore, ndërsa një pjesë e Gen Z pret rezultate konkrete, promovime ose rritje page edhe pas 6 muajsh pune. Kjo nuk është domosdoshmërisht një pritshmëri e gabuar, por kërkon një balancë: punëdhënësit duhet të krijojnë procese më dinamike dhe të komunikojnë qartë mundësitë e zhvillimit, ndërsa të rinjtë duhet të kuptojnë se ndërtimi i një karriere të qëndrueshme kërkon kohë, eksperiencë dhe durim.
Gen Z po hyn me ritme të shpejta në tregun e punës. Si po i përgjigjet Tirana Bank kësaj gjenerate dhe çfarë kërkojnë realisht të rinjtë nga një punëdhënës sot?
Në Tirana Bank, rreth 27% e punonjësve i përkasin Gen Z, një tregues që reflekton jo vetëm praninë e kësaj gjenerate në bankë, por edhe gatishmërinë tonë për të mirëpritur vit pas viti gjithnjë e më shumë profesionistë të rinj. Për ne, përshtatja me ndryshimet e tregut të punës nuk është thjesht një iniciativë e burimeve njerëzore, por një domosdoshmëri strategjike.
Sot, të rinjtë kërkojnë më shumë sesa një vend pune. Ata kërkojnë një mjedis ku mund të dëgjohen, të kontribuojnë dhe të zhvillohen. Prandaj, një nga prioritetet tona kryesore është ndërtimi i një kulture pune që nxit bashkëpunimin, inovacionin dhe shprehjen e ideve. Investojmë vazhdimisht në programe trajnimi, veçanërisht në fushat e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale, përmes platformave online që u japin punonjësve fleksibilitet kohor në zhvillimin e tyre profesional.
Po aq i rëndësishëm është transformimi i lidershipit. Gen Z kërkon drejtues që komunikojnë hapur, japin feedback të vazhdueshëm dhe krijojnë hapësirë për dialog. Për këtë arsye, investojmë në zhvillimin e drejtuesve tanë, duke promovuar një stil drejtimi që bazohet tek besimi, mentorimi dhe inteligjenca emocionale.
Në fund, ajo që kërkon Gen Z nuk është shumë e ndryshme nga çfarë kanë kërkuar gjithmonë brezat: respekt, mundësi për t'u zhvilluar dhe ndjesinë që puna e tyre ka vlerë. Diferenca është se sot ata e shprehin këtë më qartë dhe më herët, dhe kompanitë që dinë t'i dëgjojnë do të jenë ato që do të tërheqin dhe mbajnë talentet më të mira të së ardhmes.
A mendoni se ekzistojnë ende stereotipe për Gen Z në vendin e punës? Çfarë ju ka surprizuar më shumë nga bashkëpunimi me këtë brez?
Po, pa diskutim. Ky fenomen ka ekzistuar gjithmonë dhe është quajtur "lufta e brezave". Çdo brez ka tendencën të besojë se ka qenë më i përgjegjshmi apo më punëtori, ndërsa brezi që vjen pas shihet me skepticizëm. Mendoj se Gen Z është një nga brezat më të keqkuptuar në tregun e punës. Të jesh ndryshe nga gjeneratat paraardhëse nuk do të thotë të jesh më pak i aftë apo më pak i përkushtuar; çdo brez është produkt i kohës në të cilën rritet.
Ajo që më ka surprizuar më shumë është qartësia që kanë për atë që duan dhe guximi për ta artikuluar. Ata e kanë mirëqenien personale prioritet, vlerësojnë zhvillimin profesional dhe kërkojnë feedback të shpejtë e rezultate më të dukshme në një periudhë më të shkurtër.
Një nga stereotipet më të zakonshme është se këtij brezi i mungon respekti për autoritetin. Nga përvoja ime, Gen Z nuk e sfidon autoritetin sepse nuk e respekton, por sepse kërkon që respekti të fitohet përmes kompetencës, integritetit dhe komunikimit të hapur. Ata janë më pak të fokusuar te titujt dhe më shumë tek ndikimi real që një drejtues ka mbi ekipin.
Duhet të kujtojmë gjithashtu se kjo gjeneratë është rritur nga prindër Gen X dhe Millennials, të cilët kanë punuar fort dhe kanë bërë shumë sakrifica. Gen Z i ka parë këto sakrifica nga afër dhe shpesh zgjedh të ndërtojë një raport ndryshe me punën, duke kërkuar më shumë balancë mes jetës profesionale dhe asaj personale. Nuk është e gabuar; është një përkufizim ndryshe i suksesit.
Sot Gen Z përbën rreth 30% të fuqisë punëtore globale dhe kjo përqindje do të vazhdojë të rritet. Sfida nuk është të ndryshojmë Gen Z, por të ndërtojmë ura mes brezave. Kur eksperienca e gjeneratave të mëparshme kombinohet me energjinë dhe perspektivën e re të Gen Z, krijohen ekipet më të forta dhe kompanitë më të suksesshme të së ardhmes.
Transformimi digjital dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë mënyrën e punës në sektorin bankar. Si ka evoluar profili i punonjësit që kërkohet sot në një bankë moderne?
Sektori bankar mbetet ndër industritë që është përshtatur më shpejt me zhvillimet teknologjike. Nëse më parë fokusi kryesor ishte te njohuritë teknike të bankingut dhe ekzekutimi korrekt i proceseve, sot kërkohet një kombinim shumë më i gjerë kompetencash: profesionistë që punojnë me teknologjinë, përshtaten shpejt dhe e shohin inovacionin si mundësi, jo si sfidë.
Në Tirana Bank investojmë vazhdimisht në trajnime, por edhe në angazhimin e talenteve të reja përmes programeve të internshipit dhe iniciativave që i afrojnë studentët me botën bankare. Fokus të veçantë u kushtojmë të rinjve nga fushat e teknologjisë së informacionit, analizës së të dhënave, inteligjencës artificiale dhe transformimit digjital, profile që po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme edhe për pozicionet entry-level.
Megjithatë, faktori njerëzor mbetet i pazëvendësueshëm. Roli i punonjësit të bankës ka evoluar nga një funksion kryesisht administrativ në një rol këshillues, me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën financiare të individëve dhe familjeve. Ky ndryshim reflektohet edhe në ambientet fizike të degëve, të cilat janë bërë më mikpritëse, dhe në vetë titujt e pozicioneve. Në Tirana Bank, klientët shërbehen nga "Bankier Personal", sepse besojmë se misioni ynë nuk është thjesht të ofrojmë produkte financiare, por të ndërtojmë marrëdhënie besimi.
Mësimi i vazhdueshëm është bërë një domosdoshmëri. Si po investon Tirana Bank në zhvillimin profesional të punonjësve dhe cilat aftësi do të jenë më të rëndësishmet në vitet e ardhshme?
Zhvillimi profesional i punonjësve është në qendër të filozofisë sonë për menaxhimin e talenteve. Kemi ndërtuar një strukturë të dedikuar që gjatë gjithë vitit sjell programe trajnimi të përshtatura si me objektivat strategjike të bankës, ashtu edhe me aspiratat profesionale të punonjësve: trajnime në drejtim dhe menaxhim njerëzish, kurse në platforma profesionale online me fokus digjitalizimin, si dhe programe të dedikuara për inteligjencën artificiale.
Përvoja është një aset i çmuar që ndërtohet me vite, por po aq e rëndësishme është mendësia e duhur. Aftësia për të mësuar vazhdimisht dhe për të përqafuar teknologjitë e reja do të jetë një nga faktorët kryesorë të suksesit. Njëkohësisht, ka aftësi thelbësisht njerëzore që do të mbeten të pazëvendësueshme: bashkëpunimi, empatia, inteligjenca emocionale dhe aftësia për të ndërtuar marrëdhënie besimi. Asnjë teknologji nuk mund të zëvendësojë buzëqeshjen e sinqertë të një punonjësi ndaj klientit apo nevojën e secilit prej nesh për t'u ndjerë i vlerësuar. Prandaj, ne e shohim të ardhmen si një bashkëjetesë mes teknologjisë dhe potencialit njerëzor, ku secili e fuqizon tjetrin.
Inteligjenca artificiale po transformon edhe funksionin e Burimeve Njerëzore. Si e shihni ndikimin e AI në rekrutim, zhvillimin e talenteve dhe përvojën e punonjësve?
Inteligjenca artificiale po shndërrohet në një aleat shumë të rëndësishëm për Burimet Njerëzore, veçanërisht në automatizimin e proceseve që tradicionalisht kanë kërkuar shumë kohë. Kjo u jep profesionistëve të BNJ mundësinë të fokusohen në aktivitete me vlerë, si zhvillimi i talenteve dhe mbështetja strategjike e biznesit.
Në rekrutim, AI ndihmon në identifikimin më të saktë të përputhjes mes kërkesave të rolit dhe aftësive të kandidatit. Sot ka edhe zgjidhje që analizojnë tonin e zërit, gjuhën e trupit apo shprehjet emocionale gjatë intervistave. Megjithatë, këto sisteme nuk zotërojnë ndjeshmërinë emocionale, kontekstin njerëzor apo intuitën që sjell një intervistues me përvojë. Teknologjia nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë plotësisht vlerësimin njerëzor.
Në zhvillimin e talenteve, AI po e çon mësimin në një dimension të ri: e bën dijen më të aksesueshme se kurrë, krijon eksperienca të personalizuara zhvillimi dhe u mundëson punonjësve të gjejnë zgjidhje në kohë reale. Nga ana tjetër, kjo do të thotë që pritshmëritë do të jenë gjithnjë e më të larta: në një botë ku informacioni është i disponueshëm menjëherë, aftësia për të menduar në mënyrë kritike dhe për të krijuar vlerë bëhet edhe më e rëndësishme.
Një gjë është e sigurt: edhe për ca kohë do të quhemi Burime Njerëzore apo Njerëzit dhe Kultura, por më pas në ekipet tona do të kemi edhe agjentë AI, duke e transformuar rolin tonë në agjentë ndryshimi. Kjo do të thotë se BNJ të së ardhmes do të menaxhojnë një forcë pune të përbër nga njerëzit dhe agjentët AI, duke përcaktuar mënyrën se si ata bashkëpunojnë dhe plotësojnë njëri – tjetrin. Se si do ta bëjmë këtë gjë, është për t’u zbuluar.
Në një organizatë me rrjet të gjerë degësh si Tirana Bank, si arrini të krijoni një eksperiencë të unifikuar për punonjësit dhe të ruani një kulturë të përbashkët organizative?
Gjithçka fillon nga mënyra se si i trajtojmë dhe komunikojmë me njerëzit tanë. Ne besojmë se çdo punonjës është një hallkë e rëndësishme e suksesit të organizatës: pavarësisht rolit apo pozicionit, secili kontribuon në rezultatin e përbashkët. Kjo qasje adreson një nga nevojat më themelore të çdo individi në vendin e punës: nevojën për t'u ndjerë i vlerësuar, i respektuar dhe pjesë e diçkaje më të madhe.
Rol kyç kanë drejtuesit. Ata janë ambasadorët e kulturës sonë organizative dhe shembulli që përcakton mënyrën se si jetohen në praktikë vlerat e bankës. Po ashtu, promovojmë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e vazhdueshëm të ideve mes degëve dhe strukturave të zyrës qendrore, çka krijon një ndjenjë më të fortë përkatësie në të gjithë bankën.
Mbi të gjitha, një kulturë e fortë organizative mbështetet tek komunikimi i rregullt dhe transparent. Çdo punonjës informohet periodikisht se ku ndodhet banka sot, cilat janë prioritetet strategjike dhe ku synojmë të arrijmë. Kur njerëzit kuptojnë drejtimin e organizatës dhe rolin e tyre në këtë rrugëtim, ata ndihen më të angazhuar dhe më të motivuar për të kontribuar në suksesin e përbashkët.
Nëse do t'i jepnit një këshillë një të riu që po mendon të hyjë në sektorin bankar, cila do të ishte ajo?
Bankingu vazhdon të jetë një nga sektorët më tërheqës për zhvillimin e karrierës, jo vetëm për stabilitetin dhe sigurinë që ofron, por edhe për standardet e larta profesionale dhe mundësitë e shumta për rritje. Është një industri në transformim të vazhdueshëm, e nxitur nga digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale, që kombinon njohuritë financiare me teknologjinë dhe fokusin tek përvoja e klientit. Një nga avantazhet më të mëdha është mundësia për të punuar pranë profesionistëve me përvojë dhe për të përfituar nga ekspertiza e tyre.
Këshilla ime për çdo të ri është të përfitojë nga çdo mundësi për të mësuar. Të jetë kurioz, të investojë vazhdimisht në zhvillimin e vet profesional dhe personal dhe të guxojë të përballet me sfida. Rezultatet nuk vijnë gjithmonë menjëherë, por përkushtimi, durimi dhe gatishmëria për të mësuar shpërblehen gjithmonë.
Vlerësoni përvojën e kolegëve, ruani etjen për dije dhe ndërtoni një reputacion profesional të bazuar në integritet dhe përgjegjshmëri. Këto janë vlerat që ju shoqërojnë drejt suksesit, jo vetëm në sektorin bankar, por në çdo rrugëtim profesional.
Elvira Kapoli: “Tirana Bank e mbylli gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 me rritje të qëndrueshme, rezultate mbi pritshmëritë dhe fokus të qartë te transformimi dixhital dhe klienti”

Intervistë me Drejtuesen e Divizionit të Financës në Tirana Bank
Tirana Bank e mbylli gjysmën e parë të vitit 2026 me një performancë financiare mbi pritshmëritë dhe rritje të balancuar në treguesit kryesorë të aktivitetit. Rritja u reflektua në zgjerimin e portofolit të kredive, forcimin e bazës së depozitave dhe përmirësimin e të ardhurave, duke u mbështetur njëkohësisht nga disiplina në administrimin e kostove dhe rrezikut. Në themel të kësaj performance qëndron strategjia e Tirana Bank për ndërtimin e një banke moderne, të qëndrueshme dhe gjithnjë e më të orientuar drejt klientit, ku transformimi dixhital përbën një nga shtyllat kryesore të zhvillimit.
Për të diskutuar mbi rezultatet e gjashtëmujorit të parë, faktorët që kanë mbështetur këtë ecuri dhe prioritetet e bankës për pjesën e mbetur të vitit, biseduam me Elvira Kapolin, Drejtuese e Divizionit të Financës në Tirana Bank.
Zonja Kapoli, Tirana Bank e ka mbyllur gjysmën e parë të vitit 2026 me rezultate pozitive dhe mbi pritshmëritë. Si e vlerësoni këtë ecuri?
Rezultati më i rëndësishëm i kësaj periudhe nuk lidhet vetëm me një tregues të veçantë financiar. Ajo që e bën performancën e gjashtëmujorit të parë veçanërisht të rëndësishme është fakti se rritja është reflektuar në mënyrë të balancuar në të gjithë treguesit kryesorë të aktivitetit.
Në fund të muajit qershor, fitimi neto sipas IFRS arriti në 14.4 milionë euro, totali i aktiveve tejkaloi nivelin prej 2 miliardë eurosh, ndërsa portofoli i kredive u zgjerua me rreth 104 milionë euro krahasuar me fundin e vitit 2025. Në të njëjtën periudhë, depozitat e klientëve u rritën me 142 milionë euro.
Këto rezultate tregojnë se performanca e bankës nuk është mbështetur në një faktor të vetëm. Ajo reflekton zgjerimin e aktivitetit, forcimin e bazës së financimit, rritjen e të ardhurave, si dhe disiplinën e vazhdueshme në menaxhimin e kostove dhe të rrezikut. Për ne, kjo përfaqëson formën më të shëndetshme të rritjes, sepse krijon një bazë më të fortë dhe më të qëndrueshme për të ardhmen. Mbi të gjitha, këto rezultate janë meritë e ekipeve tona. Pas çdo treguesi financiar qëndrojnë shumë punë, bashkëpunim ndërmjet strukturave, vendimmarrje e kujdesshme dhe fokus i vazhdueshëm te nevojat e klientit.
Cilët ishin faktërët që e nxitën këtë performancë?
Kontributi kryesor erdhi nga zgjerimi i aktivitetit tonë bankar, veçanërisht nga portofoli i huave, i cili u rrit me 11% krahasuar me fundin e vitit 2025. Edhe të ardhurat nga komisionet paraqesin një zhvillim pozitiv, duke u rritur 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje u mbështet, ndër të tjera, nga aktiviteti më i lartë i kartave dhe nga shtimi i volumit të transaksioneve bankare. Paralelisht, kemi ruajtur një disiplinë të qartë në menaxhimin e kostove dhe një vëmendje të vazhdueshme ndaj cilësisë së aktiveve. Pikërisht kombinimi i të ardhurave në rritje me një strukturë të kontrolluar të kostove shpjegon përmirësimin e performancës.
Kur vlerësojmë cilësinë e fitimit, ne shohim përtej rezultatit përfundimtar. Analizojmë nëse fitimi buron nga aktiviteti bazë i Bankës, nëse kostot janë të kontrolluara, nëse financimi është i qëndrueshëm dhe nëse rreziku administrohet në mënyrë të kujdesshme. Në të gjitha këto dimensione, performanca e gjashtëmujorit të parë mund të konsiderohet e shëndetshme dhe e balancuar.
Rritja u reflektua njëkohësisht në aktive, kredi dhe depozita. Sa e qëndrueshme është kjo trajektore?
Pikërisht karakteri i balancuar i kësaj rritjeje na jep besim për vazhdimësinë e saj. Në fund të gjashtëmujorit të parë, totali i aktiveve tejkaloi nivelin prej 2 miliardë eurosh, duke u rritur me 139 milionë euro krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Portofoli i kredive arriti në 1.1 miliardë euro, me një zgjerim prej 104 milionë eurosh kundrejt dhjetorit 2025.
Për ne, kjo ecuri lidhet me dy elemente kryesore. Së pari, ekziston një kërkesë reale për financim nga familjet dhe bizneset. Së dyti, Tirana Bank ka kapacitetin për ta kthyer këtë kërkesë në financim konkret, duke respektuar standardet e saj të kreditimit dhe kriteret e kujdesshme të administrimit të rrezikut. Synimi ynë është të financojmë investime dhe nevoja që krijojnë vlerë reale, duke ruajtur një portofol të diversifikuar dhe një ekuilibër të kujdesshëm ndërmjet rritjes dhe rrezikut. Në këtë kuadër, rritja e financimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për biznesin e vogël, ka një rëndësi të veçantë. Këto segmente përfaqësojnë një pjesë thelbësore të aktivitetit ekonomik dhe të punësimit në vend.
Në të njëjtën kohë, depozitat e klientëve arritën në rreth 1.7 miliardë euro, duke u rritur me 142 milionë euro gjatë gjashtëmujorit të parë. Kjo është një ecuri shumë domethënëse, sepse depozitat përfaqësojnë një nga treguesit më të drejtpërdrejtë të besimit të klientëve. Klientët nuk na besojnë vetëm transaksionet e tyre të përditshme. Ata na besojnë kursimet, planet dhe sigurinë e tyre financiare. Për këtë arsye, rritjen e depozitave nuk e konsiderojmë vetëm si një burim financimi për bankën. Ajo përfaqëson një marrëdhënie besimi që duhet ndërtuar dhe ruajtur çdo ditë përmes sigurisë, transparencës, cilësisë së shërbimit dhe produkteve që u përgjigjen nevojave reale të klientëve.
Rritja e shpejtë është pozitive vetëm kur shoqërohet me eficiencë dhe administrim të kujdesshëm të rrezikut. Si e siguroni këtë ekuilibër?
Rritja krijon vlerë kur është e kontrolluar, e financuar në mënyrë të shëndetshme dhe e mbështetur nga standarde të forta të administrimit të rrezikut. Në fund të muajit qershor, raporti i kredive me probleme i Tirana Bank ishte 2.6%, ndërsa raporti kosto ndaj të ardhurave qëndroi në nivelin 50.3%. Këta tregues dëshmojnë se zgjerimi i aktivitetit është shoqëruar me vëmendje të vazhdueshme ndaj cilësisë së portofolit dhe me disiplinë në administrimin e kostove.
Ne nuk e konsiderojmë rritjen si një objektiv të izoluar. E monitorojmë atë sipas segmenteve dhe e vlerësojmë në raport me cilësinë e aktiveve, nivelin e provigjionimit, treguesit e hershëm të rrezikut dhe eficiencën e modelit operacional. Në të njëjtën kohë, eficienca nuk nënkupton vetëm kontroll të shpenzimeve. Ajo nënkupton procese më të thjeshta, vendimmarrje më të shpejtë, përdorim më të mirë të të dhënave dhe orientim të burimeve drejt aktiviteteve që krijojnë më shumë vlerë për klientin.
Mesazhi ynë është i qartë: ambicia tregtare, eficienca operacionale dhe përgjegjshmëria financiare duhet të ecin së bashku. Vetëm në këtë mënyrë rritja mund të jetë e qëndrueshme dhe të krijojë vlerë afatgjatë.
Strategjia juaj vendos theksin te transformimi dixhital. Ku qëndron sot Tirana Bank në këtë drejtim?
Vizioni ynë afatgjatë është të ndërtojmë një bankë moderne, të besueshme dhe të orientuar drejt klientit. Transformimi dixhital është një nga shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet ky vizion.Një prej zhvillimeve më të rëndësishme të kësaj periudhe ka qenë aplikacioni ynë i ri, TiBank+, i cili shënon një etapë të re në mënyrën se si klientët ndërveprojnë me bankën. Ai ofron shërbime më moderne, më të shpejta dhe më të përshtatura me nevojat e klientëve në një mjedis gjithnjë e më dixhital.Për ne, investimi në teknologji është një investim afatgjatë. Pikërisht përmes teknologjisë ndërtohet marrëdhënia e së nesërmes me klientin, përmirësohet përvoja bankare dhe rritet aftësia e bankës për t’iu përgjigjur në kohë nevojave të tregut. Jemi krenarë për progresin e arritur dhe të vendosur ta vazhdojmë transformimin me të njëjtin angazhim dhe ritëm.
Si siguroheni që teknologjia të mos e distancojë klientin nga banka, por ta afrojë më shumë?
Për ne, teknologjia është një mjet në shërbim të njeriut, jo një qëllim në vetvete. Çdo zgjidhje dixhitale që zhvillojmë nis nga një pyetje e thjeshtë: a ia bën jetën më të lehtë klientit? Transformimi dixhital ka kuptim vetëm nëse klienti e ndien konkretisht përfitimin e tij në jetën e përditshme. Synimi ynë është të ndërthurim shpejtësinë dhe komoditetin e kanaleve dixhitale me cilësinë dhe afërsinë e marrëdhënies njerëzore. Besimi ndërtohet përmes të dyjave.
Objektivi ynë nuk është ta largojmë klientin nga dega fizike, por t’i japim lirinë të zgjedhë kanalin më të përshtatshëm për secilën nevojë. Në disa raste, klienti kërkon shpejtësinë e një shërbimi dixhital. Në raste të tjera, ai ka nevojë për këshillim dhe komunikim të drejtpërdrejtë. Detyra jonë është të ofrojmë një përvojë të qëndrueshme dhe cilësore në të gjitha kanalet. Orientimi drejt klientit është boshti rreth të cilit organizohet gjithçka, nga produktet dhe proceset deri te mënyra e komunikimit. Kjo qasje po e ndihmon Tirana Bank të krijojë një marrëdhënie më të afërt dhe më të qëndrueshme me klientët e saj.
Cilat janë prioritetet e Tirana Bank për pjesën e mbetur të vitit 2026?
Prioriteti ynë është ta shndërrojmë momentumin e krijuar gjatë gjashtëmujorit të parë në një performancë të qëndrueshme për të gjithë vitin. Kjo kërkon ekzekutim të kujdesshëm në disa drejtime njëkohësisht: realizimin cilësor të kreditimit, ruajtjen e bazës së fortë të depozitave, vijimin e disiplinës së kostove, monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së portofolit dhe rritjen e përdorimit real të kanaleve dixhitale.
Rezultatet e deritanishme kanë krijuar një bazë të fortë, por suksesi i një viti nuk përcaktohet vetëm nga mënyra se si ai nis. Ai përcaktohet nga aftësia për të ruajtur ritmin, cilësinë dhe disiplinën deri në fund. Për këtë arsye, fokusi ynë nuk është vetëm realizimi i objektivave vjetorë. Synimi është t’i arrijmë ato në një mënyrë që forcon qëndrueshmërinë financiare dhe kapacitetin e bankës për të krijuar vlerë në afat të gjatë.
Në një mjedis që ndryshon me shpejtësi, avantazhi konkurrues buron nga aftësia për të marrë vendime në kohë, për të përdorur të dhënat në mënyrë inteligjente, për t’iu përgjigjur nevojave të klientëve dhe për të inovuar pa cenuar disiplinën e rrezikut. Ky është vizioni ynë për Tirana Bank: të ndërtojmë një bankë që rritet me përgjegjshmëri, përdor teknologjinë me një qëllim të qartë dhe e mat suksesin jo vetëm përmes rezultateve financiare, por edhe përmes vlerës që krijon çdo ditë për klientët, ekonominë dhe të gjithë partnerët e saj.


