Tirana Bank do t’i bashkohet komunitetit SWIFT Go

Në 27 Korrik 2021, SWIFT njoftoi nisjen e shërbimit SWIFT Go, një shërbim i ri transformues që u mundëson bizneseve të vogla dhe konsumatorëve të dërgojnë pagesa ndërkufitare të shpejta, të parashikueshme, shumë të sigurta dhe me çmime konkurruese kudo në botë, direkte nga llogaritë e tyre bankare. Në momentin e parë ishin vetem shtatë Banka Globale që iu bashkuan këtij shërbimi.

SWIFT Go u mundëson Institucioneve Financiare – Banka të ofrojnë një përvojë pagesash për transaksione me vlerë të ulët, të iniciuar shpesh nga Bizneset e Vogla dhe të Mesme (SME) për të paguar furnitorët e tyre jashtë kufijve (cross-border), si dhe nga individet që dërgojnë para te miqtë dhe familjarët ndërkombëtarisht. Duke përdorur marrëveshje ndërmjet Institucioneve dhe verifikimin paraprak të të dhënave, SWIFT Go u mundëson Bankave, t'u ofrojnë klientëve të tyre fundorë një përvojë pagese të shpejtë dhe me transparencë të plotë mbi kohën dhe kostot e përpunimit.

Tirana Bank është ndër bankat e para në Shqipëri që përqafon këtë shërbim inovativ për standartin e Pagesave Ndërkombëtare (cross-border-payments) për klientët Individë dhe Bizneset e Vogla dhe të Mesme, në mënyrë që ti ofrojë klienteve te saj cilësi, shpejtësi dhe kosto të ulëta.

Ky standart inovativ do të jetë pjesë e përmirësimit të vazhdueshëm dhe krijimit të një infrastrukture të qendrueshme në treg për shërbimin e Pagesave në të gjithë spektrin e tij, duke reflektuar njëkohësisht përqasjen tonë ndaj Strategjisë Kombëtare të Pagesave për klientët individë dhe bizneset e vogla dhe të mesme në tregun shqiptar.