Tirana Bank & komuniteti Fintech i Shqipërisë në diskutim për të ardhmen e bankingut digjital

Në kuadër të vizionit për të nxitur transformimin digjital dhe bashkëpunimin me ekosistemin në rritje të teknologjisë financiare në vend, Tirana Bank organizoi një forum me përfaqësues të 10 startup-eve më premtuese në Shqipëri. Takimi u mbajt në ambientet e Protik Albania në datën 28 Prill 2025 dhe solli së bashku drejtues të bankës, profesionistë të teknologjisë dhe sipërmarrës të rinj, për të diskutuar mbi të ardhmen e bankingut digjital.

Forumi u hap nga Olivier Baur, Zëvendësdrejtor Ekzekutiv i Tirana Bank, i cili ndau vizionin e institucionit për të ardhmen. Sipas tij, Tirana Bank po shndërrohet në një platformë të orientuar nga klientët, ku bashkëpunimi me startup-et dhe fintech-ët është thelbësor për transformimin e shërbimeve financiare në Shqipëri.

Gjatë forumit u trajtuan tema si Digital Onboarding, përvojat e personalizuara të klientëve, mundësitë që sjell Open Banking dhe rrugëtimi inovativ i Tirana Bank. Diskutimet u pasuruan me shembuj konkretë të bashkëpunimit me Fintech-ët dhe ide për partneritete të ardhshme që mund të përshpejtojnë transformimin tonë.

Blerina Nasto, Menaxhere e Transformimit Digjital, theksoi se bashkëpunimi është çelësi për inovacion të qëndrueshëm, duke e cilësuar transformimin digjital si një domosdoshmëri strategjike. Në këtë frymë u prezantua edhe një iniciativë e re nga Marsela Kajo, Drejtuese e Departamentit të Bizneseve të Vogla, e cila ndau një paketë të dedikuar për startup-et: llogari dhe platformë online pa pagesë për gjashtë muaj, për të lehtësuar përfshirjen e tyre në sistemin bankar.

Një tjetër fokus i rëndësishëm i forumit ishte infrastruktura teknologjike, ku Andi Qirjazi, Drejtues i Divizionit të Teknologjisë së Informacionit, ndau zhvillimet më të fundit të bankës në drejtim të teknologjisë Cloud dhe integrimit të standardit PSD2, duke theksuar partneritetet me kompani globale si IBM, Microsoft, Oracle dhe Cisco. Rreth çështjeve të sigurisë, Eni Nesturi, Drejtuese e Departamentit të Sigurisë së Informacionit, konfirmoi se për Tirana Bank mbrojtja e të dhënave dhe përafrimi me standardet ndërkombëtare është prioritet absolut, veçanërisht në kontekstin e zbatimit të Open Banking.

Ky forum përfaqëson një hap domethënës në drejtim të pozicionimit të Tirana Bank si partneri i preferuar financiar për bizneset digjitale dhe një kontribues aktiv në ndërtimin e së ardhmes së bankingut në Shqipëri.