Dixhitalizimi i Shërbimeve të pagesave është e ardhmja e afërt
Dixhitalizimi i Shërbimeve të pagesave është e ardhmja e afërt.
Si mëposhte do të lexoni intervistën e znj.Xhaxha e dhënë për revistën Monitor.
1. Që nga fillimi i janarit ka hyrë në fuqi ligji i ri për shërbimet e pagesave. Cfarë ndikimi prisni të ketë ligji në tregun e pagesave në vend?
Ndryshimet dhe përmirësimet e sjella nga rishikimi i këtij Ligji ,do te mundësojne një ridimensionim në tregun e këtij shërbimi, duke akomoduar në sistem një pjesëmarrrje më të gjerë të aktorëve të kësaj fushe, jo vetëm të Institucioneve Banka, por edhe të atyre Financiare Jo-Banka, të njohura së fundmi si “FinTech”-sa.
2. Cilat janë sfidat dhe mundësitë që shtron ligji i ri për bankat tregtare? Çfarë risish mund të sjellë në qasjen e bankave ndaj shërbimeve të pagesave?
Prezenca dhe aktiviteti i “FinTech”-save është tashmë një realitet në tregun shqiptar dhe shërbimet që ata ofrojnë janë përqafuar masivisht. Pranimi, bashkëpunimi dhe zgjerimi i shërbimeve të ofruara është jo vetem një sfidë për Bankat Tregtare që operojnë në sistem, por edhe një mundësi zhvillimi dhe përshtatjeje ndaj kërkesave që dikton konsumatori fundor. Strategjikisht, Bankat kanë dhënë dhe japin kontributin e tyre në zhvillimin e shërbimeve të Pagesave, por natyrisht, ky Ligj i Ri hap dritare dhe mundësi të reja sfiduese për të gjithe aktorët që të kontribuojnë në një treg, i cili mund të quhet i maturuar.
Tirana Bank, si pjesë aktive e këtij tregu për ofrimin e shërbimeve të Pagesave, ka përqafuar në krye të herës ndryshimet dhe është përshtatur profesionalisht në këtë ambjent të ri, si në numër dhe cilësi produktesh.
3. Shqipëria është ekonomi me përdorim shumë të lartë të parasë cash. Pse ndodh kjo dhe si mund të nxitet përdorimi i formave alternative të pagesave?
Shqipëria është një ekonomi “cash”-i me një numër të konsiderueshëm të popullsisë “un-banked” dhe si e tillë, krijon shumë mundësi zhvillimi.
Shtrirja gjeografike e Sistemit Bankar nuk e mundëson aksesimin në shërbimet e Pagesave nga e gjithë popullsia, ndërkohë që forma të tjera alternative në distancë mund të afrojnë këto shërbime pranë tyre.
Ndërtimi i një infrastrukture komunikimi dhe ndërveprimi është sfidë më vete per sistemin financiar, e cila do të mundësojë dhe ndryshojë përqasjen ndaj këtyre shërbimeve.
4. Nga të dhënat e deritanishme, sa e ka ndikuar pandemia përdorimin e pagesave elektronike nga publiku shqiptar?
Fillimi i pandemisë e gjeti sistemin Bankar të përgatitur për të ofruar shërbime në distance ose on-line. Bankat, në vite kanë investuar për të zhvilluar platforma të shërbimeve virtuale të cilat, natyrisht morën një vlerë të shtuar në këtë kohë pandemie, duke u shërbyer klientëve me efikasitet.
Ne, në Tirana Bank, kemi numër në rritje të këtyre shërbimeve të ofruara, përgjatë gjithë vitit të kaluar, me ndryshueshmëri në muaj, në varësi të sjelljes së përdoruesve, apo kushteve të pandemisë. Mund të themi që numri i transaksioneve të Pagesave (jashtë Bankës) të iniciuara nga Platforma e-banking është dyfishuar gjatë vitit 2020, krahasuar me atë të 2019.
Megjithatë, vërejme që lëvizja nga shërbimet në distancë në ato klasike ka një paqëndrueshmëri, pasi vetë klientëve u duhet kohë të përshtaten në këtë realitet të ri.
5. Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave po punojnë për një sërë projektesh të lidhura me shërbimet e pagesave, si instant payments, shlyerja kombëtare e transfertave në euro, apo sistemi kombëtar i card switch. Sa mund të ndihmojë realizimi i këtyre projekteve zhvillimin e pagesave elektronike në vend?
Inisiativa të sistemit Bankar në Shqipëri për të përmirësuar dhe zhvilluar shërbimet bankare në linjë me risitë teknologjike apo kërkesat në rritje të përdoruesve fundorë, kanë orientuar strategjitë dhe vizionin drejt nevojave të tregut, të cilat janë materializuar në një sërë projektesh të sipër përmendura.
Nevoja e zhvillimit të tyre është një kërkesë imediate, e përforcuar nga aktiviteti tregtar dhe jo vetëm, për të përmiresuar procesin dhe ulur kostot.
Të gjitha inisisativat e marra nëpërmjet këtyre projekteve, kanë në bazën e tyre përmirësimin dhe zhvillimin e shërbimit të Pagesave, duke ngritur në një nivel më të lartë infrastrukturen kombëtare, duke u mundësuar klientëve alternativa zgjedhjeje, të shpejta dhe jo shumë të kushtueshme.
Si nje Banke aktive ne keto inisiativa, Tirana Bank, jo vetëm ka krijuar ambjentin e pershtatshëm dhe infrastrukturen e duhur për të ofruar shërbime cilësore, por strategjikisht, duke bashkëpunuar me aktorë të tjerë në treg, mundëson një gamë të gjerë produktesh, duke e shtrirë aktivitetin e saj përtej shërbimeve klasike të Pagesave.
Sistemi Financiar, ashtu si dhe fokusi i çdo Banke Tregtare, si pjesë aktive e procesit, duhet të jetë e orientuar ndaj këtyre ndryshimeve, duke përgatitur kushtet për të mirëpritur tendencat e kohës.
Zhvillimi teknologjik dhe mundësitë e ndërveprimit në distancë janë vizioni ynë në cdo shërbim apo produkt që ofrojmë.