Branch Network Summit 2025 - Rise Beyond Limits

Më 15 Shkurt 2025, Tirana Bank mblodhi rrjetin e degëve në një samit me temën “Rise Beyond Limits”Branch Network Summit shërbeu si një mundësi për të festuar sukseset e vitit që lamë pas dhe për të prezantuar objektivat e ardhshme, duke konfirmuar rëndësinë e komunikimit efektiv dhe sinkronizimit të planeve për një vizion të qartë të zhvillimit të Bankës.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Dritan Mustafa, përgëzoi stafin për sukseset e arritura, fryt i strategjisë së duhur dhe kulturës së fortë të bashkëpunimit. Ai theksoi rëndësinë e transformimit të Bankës me fokus te inovacioni dhe dixhitalizimi, si mjete për përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe optimizimin e proçeseve. “Tirana Bank vijon të rritet në mënyrë të qëndrueshme, duke shënuar rezultate historike në tre dekada të zhvillimit të aktivitetit. Bashkëpunimi dhe komunikimi mbeten faktorët kyç për suksesin e përbashkët dhe rritjen e vazhdueshme të Bankës,” u shpreh z. Mustafa.

Gjithashtu, z. Mustafa vuri në dukje një nga objektivat tona më të rëndësishme, investimin e vazhdueshëm në kapitalin tonë njerëzor. Për këtë arsye, Tirana Bank po zgjeron programet e trajnimit, duke rritur numrin dhe diversitetin e tyre, si dhe duke përmirësuar kushtet e punës. Fuqizimi i ekipit përmes zhvillimit profesional dhe krijimit të një mjedisi pune sa më të mirë është themeli i suksesit afatgjatë.

Drejtuesja e Divizionit Retail, Znj. Lila Canaj, prezantoi arritjet kryesore të vitit 2024, duke vlerësuar përkushtimin dhe energjinë e ekipit si çelësin e suksesit. Me sytë nga e ardhmja, ajo ndau strategjinë për 2025, një vit që do të shtyjë kufijtë e zhvillimit në të gjithë indikatorët kryesorë të biznesit. Fokus? Dixhitalizimi i mëtejshëm, zgjerimi i rrjetit dhe bazës së klientëve, fuqizimi i Small Business dhe një sinergji më e madhe mes linjave të biznesit. “Suksesi nuk është një përpjekje individuale, është një punë kolektive, e ndërtuar mbi energjinë, përkushtimin dhe profesionalizmin e secilit prej jush,” u shpreh znj. Canaj, duke riafirmuar se çdo hap përpara është një hap i ekipit të bashkuar drejt ambicieve të reja.

 

E ftuara speciale, znj. Grida Duma, theksoi rëndësinë e komunikimit efektiv në organizatë si një element kyç për forcimin e bashkëpunimit dhe arritjen e qëllimeve të përbashkëta, por edhe frymëzoi pjesëmarrësit me fjalimin e saj, duke nënvizuar rolin e guximit dhe përkushtimit.

Evente të tilla janë një burim frymëzimi, duke forcuar ekipin, ndarë përvojat dhe unifikuar vizionin drejt objektivave të përbashkëta. Ato sjellin energji dhe entuziazëm, duke motivuar çdo individ për të tejkaluar kufijtë dhe për të kontribuar në rritjen e vazhdueshme të Tirana Bank. Suksesi është rezultat i punës së përbashkët, dhe me këtë frymë, ecim përpara drejt inovacionit dhe ekselencës.